Ngjarjet në Ceuta alarmojnë BE-në, Von der Leyen: Duhet të mësojmë nga gabimet!
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kriza e migracionit në Ceuta nxjerr në pah rëndësinë e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Në një postim në rrjetin social X, ajo theksoi se BE-ja ka një sistem të fortë të kontrollit kufitar, por shtoi se ai duhet të forcohet më tej.
“Duhet të qëndrojmë vigjilentë në çdo pikë hyrjeje kritike dhe të ruajmë një koordinim të ngushtë midis të gjitha autoriteteve,” shkroi Von der Leyen.
Sipas saj, Bashkimi Evropian ka nevojë për një proces për të nxjerrë mësime nga gabimet, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së përbashkët evropiane.
Presidentja e Komisionit Evropian bëri të ditur se Komisioni i ka ofruar mbështetje Spanjës që në fillim të krizës dhe se ka marrë letra nga disa liderë evropianë. Ajo mirëpriti gjithashtu kërkesën për zhvillimin e një videokonference të jashtëzakonshme për të vlerësuar situatën.
“Lufta kundër emigracionit të paligjshëm kërkon solidaritet dhe një përgjigje të bashkuar evropiane,” theksoi Von der Leyen.
