Massive Attack, të befasuar dhe të zhgënjyer nga autoritetet e Singaporit pas thirrjeve pro-Palestinë
Grupi britanik Massive Attack ka shprehur habinë dhe zhgënjimin e tij lidhur me trajtimin nga autoritetet e Singaporit, pas shfaqjes së solidaritetit me Palestinën gjatë një koncerti.
Sipas një postimi në Instagram, anëtarët e grupit thanë se pas performancës së datës 29 korrik, ata u ndaluan nga policia, u morën në pyetje veç e veç, iu kontrolluan dhomat e hotelit dhe iu konfiskuan përkohësisht pasaportat.
Gjatë koncertit, dy anëtarë të grupit ngritën një flamur palestinez dhe, së bashku me publikun, brohoritën “Palestina e lirë”. Pas këtij incidenti, autoritetet e Singaporit vendosën t’u ndalojnë hyrjen në vend për një periudhë të pacaktuar.
Policia e Singaporit njoftoi se Robert Del Naja dhe Grant Marshall morën “paralajmërime të ashpra” për shkelje të dyshuara të ligjeve që ndalojnë shfaqjen publike të flamujve të huaj dhe kufizojnë deklaratat politike në aktivitetet publike.
Në reagimin e tyre, Massive Attack theksoi se thirrjet “Palestina e lirë” nisën spontanisht nga një pjesë e madhe e audiencës dhe se nuk e kishin imagjinuar që mbajtja lart e flamurit të një shteti të njohur ndërkombëtarisht do të konsiderohej shkelje e ligjit.
Grupi nënvizoi se mbetet krenar për gjestin e bërë së bashku me fansat në Singapor, duke e cilësuar atë si një shprehje solidariteti me popullin palestinez.
Postimi i tyre në Instagram u pasua nga mijëra komente mbështetëse, përfshirë ato nga qytetarë të Singaporit, të cilët shprehën shqetësim për kufizimet ndaj lirisë së shprehjes në vend. Megjithatë, pati edhe zëra që kërkuan respektimin e ligjeve lokale.
Krijuesja e përmbajtjes Crystal Lim-Lange, e pranishme në koncert, u shpreh se artistët duhet të respektojnë ligjet e vendeve ku performojnë, edhe pse arti historikisht ka qenë i lidhur ngushtë me debatet politike dhe shoqërore.
Massive Attack njihen prej vitesh për angazhimin e tyre politik, veçanërisht lidhur me konfliktin në Gaza. Më herët këtë vit, Robert Del Naja u arrestua në Londër gjatë një proteste ku shprehu mbështetje për kauzën palestineze.
Singapori ka aplikuar një qasje të rreptë ndaj deklaratave publike për konfliktin Izrael-Gaza, duke argumentuar se kufizimet janë të nevojshme për të ruajtur harmoninë racore dhe fetare në vend. Autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër përdorimit publik të simboleve dhe flamujve që lidhen me konfliktin dhe kanë gjobitur më parë persona që organizuan protesta të paautorizuara në mbështetje të Palestinës.
Pavendësisht polemikave, Massive Attack vijon turneun e tyre botëror dhe pritet të performojnë javën e ardhshme në Australi, pas përfundimit të koncerteve në Azi.
