“`html
Qindra banorë protestojnë në Cërrik kundër shkrirjes së bashkisë me Elbasanin: Të mbrojmë identitetin dhe kulturën tonë
Qindra qytetarë dolën në protestë këtë të hënë në Cërrik, duke kundërshtuar propozimin për bashkimin e Bashkisë së Cërrikut me atë të Elbasanit, në kuadër të reformës së re administrative-territoriale.
Protestuesit argumentuan se shkrirja e bashkisë do të ndikojë negativisht në përfaqësimin e qytetarëve, cilësinë e shërbimeve publike, si dhe në zhvillimin ekonomik e social të zonës. Ata kërkuan që Cërriku të ruajë statusin e bashkisë më vete.
Gjatë tubimit, banorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë dhe mund të përshkallëzohen nëse institucionet përgjegjëse nuk marrin parasysh kërkesat e tyre. Mes të tjerash, ata u shprehën se shkrirja e Bashkisë së Cërrikut sjell humbjen e identitetit dhe kulturës së tyre.
“Të mbrojmë identitetin dhe kulturën tonë”, tha mes të tjerash një prej protestuesve.
Aktualisht, qarku i Elbasanit përbëhet nga shtatë bashki. Sipas propozimit të Partisë Socialiste për hartën e re administrativo-territoriale, ky numër pritet të reduktohet në katër, duke parashikuar bashkimin e bashkive Prrenjas dhe Librazhd, si dhe të Belshit dhe Cërrikut me Bashkinë e Elbasanit.
Ndërkohë, protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Dimal, ku banorët kundërshtuan propozimin për bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë Berat. Reagimet në disa qytete të vendit vijnë në një kohë kur reforma e re administrative-territoriale ka hapur debat të gjerë mes komuniteteve lokale dhe aktorëve politikë.
“`