Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, duke e lënë atë në nivelin 2.5 për qind.
Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar për të shpjeguar vendimmarrjen e politikës monetare, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se fokusi kryesor i raportit të fundit ishte ndikimi i çmimeve në ekonomi.
Ai paralajmëroi se një rritje e mëtejshme e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare mund të rezultojë në një inflacion mbi objektivin e parashikuar, si dhe në një ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike.
“Fokusi i këtij raporti ishte ndikimi që çmimet do të kenë në ekonominë tonë. Rritja e çmimit të naftës në tregjet e jashtme do të sjellë një rritje të inflacionit mbi objektivin dhe një ngadalësim të rritjes ekonomike,” deklaroi Sejko.
Guvernatori shtoi se ky parashikim bazohet në pritjet për një përfundim të shpejtë të konfliktit aktual. “Pasiguria mbetet e lartë dhe bilanci i rreziqeve është shtuar, por Banka e Shqipërisë vendosi të ruajë politikën monetare të pandryshuar,” përfundoi ai.