Divjaka: Tetë ditë protestë kundër shkrirjes së bashkisë, mblidhen firma për anulimin e reformës territoriale
Protesta e banorëve të Divjakës kundër reformës territoriale ka hyrë sot në ditën e tetë. Qytetarët vazhdojnë të kundërshtojnë projektin që parashikon bashkimin e Bashkisë Divjakë me Bashkinë Lushnjë, duke kërkuar që Divjaka të ruajë statusin e saj si bashki më vete.
Në protestën e kësaj të premteje, përveç banorëve të qytetit, morën pjesë edhe qytetarë nga njësitë administrative të Divjakës. Me pankarta dhe thirrje, protestuesit kërkuan që kundërshtimi i tyre të merret në konsideratë dhe që bashkia të mos shkrihet.
“Divjaka bashki! Kryeministri të mos kërkojë vendime apo konsulta të tjera”, u shpreh një prej protestuesve.
Ndërkohë, organizatorët kanë nisur edhe mbledhjen e firmave për një peticion që pritet t’u drejtohet institucioneve shtetërore. Përmes tij kërkohet anulimi i projektit të reformës territoriale dhe ruajtja e Bashkisë Divjakë.
“Protestën tonë ta dokumentojmë me firma. Kush ka dëshirë dhe vullnet për të firmosur, të tregojmë se jemi kundër shkrirjes së bashkisë”, deklaroi një qytetar.
Në përfundim të protestës, qytetarët kanë zhvilluar marshimin e përditshëm në rrugët e qytetit. Banorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, në mbrojtje të kërkesës së tyre për ruajtjen e Bashkisë Divjakë.
