Protesta numër 72 para Kryeministrisë: Studentja akuzon Ramën për 13 vite vjedhje nga populli i varfër
Këtë të hënë, protesta numër 72 u zhvillua para Kryeministrisë në Tiranë, ku pjesëmarrësit përsëritën kërkesat për shfuqizimin e ligjit për ndërtimet në zonat e mbrojtura. Protesta nisi pas përplasjeve që ndodhën në zonat e Zvërnecit dhe Nartës më shumë se dy muaj më parë.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në disa akse kryesore të Tiranës. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët dhe aktivistët u zhvendosën nga sheshi para Kryeministrisë dhe ecën përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Marshimi shkaktoi bllokime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në segmentet ku kaloi turma. Protestuesit vijuan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke shprehur se “Ju erdhi fundi!”.
Gjatë protestës, një studente mbajti një fjalim me tone të forta drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ajo kritikoi ashpër situatën politike dhe sociale në vend, duke përmendur korrupsionin, keqqeverisjen, problemet në sistemin shëndetësor dhe emigrimin e të rinjve.
Studentja, duke folur edhe në emër të familjes së saj, tha se vjen nga një familje tironse që, sipas saj, ka vuajtur gjatë periudhës komuniste. Kritikat e saj u përqendruan veçanërisht te sektori i shëndetësisë dhe mënyra e qeverisjes së vendit gjatë 13 viteve të fundit.
“Ti vodhe dhe vodhe për 13 vite nga një popull i vuajtur dhe i varfër. Ti e bëre shëndetësinë pazar për të mbajtur karrigen,” deklaroi studentja.
