Shqipëria kundër presionit politik me ujërat ndërkufitare

Vuçiç kërcënoi me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, Ferit Hoxha i përgjigjet nga Tirana: Uji nuk mund të përdoret për presion politik

TIRANË – Shqipëria ka dënuar deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili foli për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e kësaj mundësie.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se një ndërhyrje e tillë nuk mund të konsiderohet si çështje e brendshme e Serbisë, pasi lumi Ibër është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar dhe çdo ndryshim i rrjedhës së tij mund të ketë pasoja edhe për territorin e Kosovës.

“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, tha ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.

Hoxha iu referua edhe detyrimeve që burojnë nga e drejta ndërkombëtare për përdorimin e ujërave ndërkufitare, duke theksuar se vendet duhet të bashkëpunojnë dhe të konsultohen për çdo masë që mund të shkaktojë pasoja për një shtet tjetër.

“E drejta ndërkombëtare e ujërave është e qartë në këtë drejtim. Parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmet ndërkufitare, si dhe detyrimi për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për masat që mund të kenë pasoja ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare. Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe ka pranuar edhe mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, tha ministri.

Ministri Hoxha shtoi se Shqipëria pret që Serbia të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare, si dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Sipas tij, çdo ndërhyrje që mund të ndikojë në ujërat që prekin Kosovën duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe mbi bazën e vlerësimeve shkencore.

“Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur”, tha Hoxha.

Në reagimin e tij, ministri i Jashtëm shqiptar e bëri të qartë gjithashtu qëndrimin e Tiranës se burimet ujore nuk duhet të përdoren për qëllime politike apo si mjet presioni ndaj Kosovës.

“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër. Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore. Ne besojmë fort dhe presim që çështje të tilla të trajtohen përmes #dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve e veprimeve të njëanshme”, thekson Hoxha.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha dy ditë më parë se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, duke e lidhur këtë me, siç u shpreh ai, trajtimin e serbëve në Kosovë. Gjatë një vizite në punimet e urës së vjetër hekurudhore në Beograd, Vuçiç tha se Serbia tashmë ka angazhuar ekspertë dhe inxhinierë për të analizuar këtë mundësi.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertë që merren me këtë çështje, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë. Kur po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim – kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç.

Scroll to Top