Tregu i Sigurimeve: Rënie Fitimesh në Tremujorin e Parë

Fitimi i tregut të sigurimeve frenoi rritjen në tremujorin e parë

Fitimi i tregut të sigurimeve pësoi rënie në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), kompanitë e sigurimeve raportuan një fitim neto prej 1.07 miliardë lekësh, duke shënuar një rënie prej 12.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Treguesit e rentabilitetit gjithashtu pësuan rënie krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Sipas AMF-së, raporti i normës së fitimit të kapitalit ra në 4.6%, nga 5.08% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, raporti i normës së fitimit të aseteve ra në 1.68%, nga 2.02% që kishte qenë për tremujorin e parë të vitit 2025.

Rënia e fitimeve erdhi nga segmenti më i madh i tregut, ai i Jo-Jetës, ndërsa kompanitë e sigurimit të jetës regjistruan rritje të mëtejshme të fitimeve krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës për tremujorin e parë arritën një fitim neto në vlerën e 903 milionë lekëve, në rënie me 17.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, rënia e fitimeve nuk lidhet me ecurinë e aktivitetit sigurues, që solli fitime më të larta. Rezultati teknik për tremujorin arriti në 975 milionë lekë, ose 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e rezultatit teknik kishte si faktor përcaktues rritjen e primit të fituar neto, që arriti në më shumë se 5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 12.2%.

Sistemi i llogaritjes së primeve të sigurimit të detyrueshëm TPL mbi bazën e disa faktorëve të riskut dha një efekt pozitiv mbi bazën e të ardhurave dhe fitimeve të tregut të sigurimeve, duke filluar nga viti 2025. Në përgjithësi, kjo ka ndikuar në përmirësimin e rezultatit teknik.

Megjithatë, rënia e fitimit total neto për tremujorin e parë të këtij viti erdhi nga ulja e të ardhurave nga investimet dhe sidomos nga një rënie e fortë në zërin e të ardhurave të tjera, të paspecifikuara në raportimet statistikore.

Ndërkohë, fitimet shënuan rritje të mëtejshme në tregun e sigurimit të Jetës. Sipas AMF-së, për tremujorin e parë të vitit fitimi neto i kompanive të sigurimit të Jetës arriti në 164 milionë lekë, në rritje me 23.8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Rritja e fitimeve erdhi kryesisht nga zgjerimi i rezultatit teknik. Ky rezultat preku vlerën e 201 milionë lekëve, rreth 17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu i sigurimeve vazhdon të shfaqë pak zhvillime të rëndësishme cilësore dhe ngelet gjerësisht i varur nga produktet e detyrueshme, kryesisht ato motorike. Për gjysmën e parë të këtij viti, statistikat e AMF-së tregojnë se rritja e primeve të shkruara bruto ishte modeste, në masën 3.2%. / E.Shehu Burimi: AMF

Scroll to Top