Reforma Territoriale: Rama fillon konsultimet në terren, zhvillon sot takime me banorët në Kuç
VLORË – Kryeministri Edi Rama do të nisë konsultimet në terren për Reformën Territoriale me një takim që do të mbahet sot në zonën e Kuçit. Në këtë takim pritet të marrin pjesë kryebashkiakët aktualë dhe deputetët e qarkut të Vlorës.
Fokusi kryesor i takimit do të jetë propozimi për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës, si pjesë e draftit të ri të reformës territoriale të propozuar nga Partia Socialiste. Sipas këtij propozimi, Selenica do të humbasë statusin e bashkisë, por do të ruajë statusin e qytetit përbërës dhe do të ketë përfaqësim institucional.
Ky propozim ka shkaktuar debate në Selenicë, ku një pjesë e banorëve dhe përfaqësuesve lokalë kanë kundërshtuar bashkimin me Vlorën, duke kërkuar që Selenica të mbetet bashki më vete. Megjithatë, deputeti Ardit Bido ka deklaruar se Selenica do t’i bashkohet Vlorës, duke argumentuar se ky ndryshim bëhet me kërkesë të banorëve, një deklaratë e cila është kundërshtuar nga një pjesë e konsiderueshme e banorëve.
Reforma e propozuar parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Bashkitë që preken nga shkrirja do të ruajnë emrin, identitetin dhe statusin e qytetit përbërës.
Ky propozim i Partisë Socialiste është pritur me pakënaqësi në shumicën e bashkive që do të shkrihen, ku janë mbajtur edhe protesta, duke u bashkuar edhe drejtues aktualë të pushtetit vendor.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një proces konsultimi publik me qytetarët, i cili do të realizohet brenda 60 ditëve. Gjatë këtij procesi do të dëgjohen pretendimet e tyre, për të dalë në një propozim final, që pritet të miratohet në Kuvend.
Partia Demokratike ka refuzuar propozimin, duke u kundërpërgjigjur me një draft alternativ, i cili kërkon që numri i bashkive të shkojë në 100.
