Tensione në mbledhjen e PS: Kryetarë bashkish largohen nga takimi me Ramën

Plas në mbledhjen e Ramës në Kuç, kryeministri përzë kryebashkiaken, i pari i Poliçanit braktis takimin

Publikuar më 12.08.2026 nga shekulli_admin

Takimi i kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët në Vlorë është shoqëruar me debate dhe tensione, ndërsa diskutimi për reformën territoriale ka sjellë edhe përplasje brenda radhëve të Partisë Socialiste.

Në qendër të debatit është vendosur kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili ka braktisur mbledhjen pas një përplasjeje gjatë diskutimeve. Zotkaj është shprehur i pakënaqur ndaj Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si “mosmirënjohëse”. Reagimi i tij erdhi në një takim ku kryebashkiakët po diskutojnë propozimet për reformën territoriale dhe të ardhmen e bashkive të vogla.

Por tensionet nuk u ndalën aty. Gjatë takimit, Rama ka reaguar edhe ndaj episodeve të fundit ku disa socialistë kanë djegur teserat e Partisë Socialiste. Kryeministri e ka cilësuar këtë veprim si “paturpësi”. Një tjetër moment i tensionuar raportohet të ketë qenë përplasja me kryebashkiaken e Dimalit, Juliana Memaj, e cila është larguar nga takimi.

Takimi në Vlorë vjen në një moment kur debati për reformën territoriale është bërë gjithnjë e më i fortë. Kryeministri Rama ka deklaruar se reforma synon riorganizimin dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, ndërsa kryetarët e bashkive të vogla kanë shprehur kundërshtime ndaj mundësisë së shkrirjes së tyre.

Përplasjet e sotme tregojnë se debati nuk është vetëm mes mazhorancës dhe opozitës. Brenda vetë strukturave socialiste ka nisur të shfaqet pakënaqësi, veçanërisht nga drejtuesit e bashkive më të vogla, të cilët rrezikojnë të humbin autonominë e tyre nëse reforma territoriale do të çojë në një riorganizim të hartës së bashkive.

Kryebashkiakët e Poliçanit dhe Dimalit kanë qenë dy më aktivët që kanë kundërshtuar shkrirjen e njësive të pushtetit vendor që drejtojnë. Po ashtu mësohet se edhe kryebashkiakët e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea kanë debatuar me kryeministrin Rama dhe Arbjan Maznikun duke i qëndruar argumentave të tyre kundër shkrirjes së bashkive.

Kryeministri Rama nga ana e tij ka pretenduar që kryetarët e këtyre bashkive po nxisin komunitetet e atyre zonave kundër reformës territoriale. Ai ka kërkuar që reforma territoriale të vijojë.

Scroll to Top