Tragjedi në Indi: Shembja e tunelit merr 7 jetë

Tragjedi në Indi: Shembet tuneli në ndërtim e sipër i hidrocentralit, 7 të vdekur dhe 3 të zhdukur

Të paktën shtatë punëtorë kanë humbur jetën dhe tre të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një tuneli në ndërtim në një projekt hidroelektrik në shtetin Uttarakhand të Indisë. Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje në projektin hidroelektrik Vishnugad-Pipalkoti, në distriktin Chamoli.

Një sasi e madhe uji dhe mbeturinash u futën brenda tunelit pas rrëshqitjeve të dheut dhe shembjes së një pjese të strukturës. Sipas autoriteteve, në tunel ndodheshin 22 punëtorë. Deri tani, 12 prej tyre janë shpëtuar, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë operacionin për gjetjen e tre personave që ende konsiderohen të zhdukur.

Operacioni i shpëtimit po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të ujit dhe mbeturinave që kanë mbushur tunelin. Në terren janë angazhuar ekipe të Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive, Forcave të Policisë Kufitare Indo-Tibetane, shërbimeve zjarrfikëse dhe autoriteteve të tjera të emergjencës.

Kryeministri i Uttarakhandit, Pushkar Singh Dhami, ka mbërritur në zonën e incidentit për të monitoruar nga afër operacionet e kërkim-shpëtimit.

Incidenti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e projekteve të mëdha infrastrukturore në rajonet malore të Uttarakhandit, një zonë e Himalajeve e karakterizuar nga terren i vështirë dhe paqëndrueshmëri gjeologjike.

Scroll to Top