Vetëm 6% e të papunëve gjejnë punë me pagë brenda 3 muajve, Shqipëria e fundit në Europë
Kalimi drejt një vendi pune me pagë mbetet një sfidë e vështirë në Shqipëri, veçanërisht për personat e papunë ose të angazhuar në vetëpunësim. Të dhënat e Bankës Botërore e vendosin vendin tonë në grupin e ekonomive me norma relativisht të ulëta gjetjeje pune, dukshëm pas shumicës së vendeve europiane.
Sipas raportit të Bankës Botërore, “Rationalizing Informality: Social Protection, Job Quality, and Growth”, i cili analizon cilësinë e vendeve të punës, rreth 6% e të papunëve në Shqipëri kalojnë në një vend pune me pagë brenda një tremujori. Ky është niveli më i ulët ndër rreth 50 ekonomitë e analizuara.
Shqipëria paraqitet më dobët edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit:
- Norma e kalimit drejt një vendi pune me pagë brenda tre muajve është rreth 13% në Maqedoninë e Veriut.
- Afërsisht 15% në Serbi.
- 16% në Bosnjë dhe Hercegovinë.
- Rreth 17% në Malin e Zi.
- Në Kroaci, ky tregues arrin afërsisht 16%.
- Ndërsa në Slloveni i afrohet nivelit 22%.
Diferenca është edhe më e madhe kundrejt ekonomive ku tregu i punës karakterizohet nga një qarkullim më i shpejtë:
- Norma është rreth 39% në Danimarkë.
- 37% në Shtetet e Bashkuara.
- Rreth 30% në Zvicër e Austri.
Banka Botërore analizon se rritja e PBB-së dhe e nivelit të të ardhurave nuk shoqërohet automatikisht me mundësi më të mëdha punësimi. Për Shqipërinë, rezultatet tregojnë se problemi lidhet me funksionimin e tregut të punës. Problemet si informaliteti, mospërputhja mes aftësive të punëkërkuesve dhe kërkesave të sipërmarrjeve, mungesa e vendeve të qëndrueshme të punës dhe efektiviteti i kufizuar i shërbimeve të ndërmjetësimit mund ta vështirësojnë punësimin e personave që mbeten pa punë.
Norma e ulët e kalimit nënkupton gjithashtu një rrezik më të madh që papunësia të zgjasë. Sa më gjatë të qëndrojë një individ jashtë tregut të punës, aq më shumë rritet mundësia e humbjes së aftësive profesionale dhe e tërheqjes së tij nga kërkimi aktiv për punë.
Pozicioni i Shqipërisë tregon se edhe vetëpunësimi nuk shërben në të njëjtën masë si një urë drejt punësimit me pagë, krahasuar me shumë vende europiane. Ky rezultat merr rëndësi të veçantë për një ekonomi ku vetëpunësimi zë rreth 30% të punësimit total dhe puna informale ende përbën një pjesë të konsiderueshme të tregut të punës.
Vendet më të pasura priren të kenë tregje pune ku kalimi drejt punësimit është më i lehtë. Megjithatë, shpërndarja e të dhënave tregon se niveli i të ardhurave nuk është faktori i vetëm përcaktues. Shqipëria pozicionohet dobët, së bashku me disa ekonomi me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Treguesi i vendit tonë është i përafërt me atë të Gjeorgjisë, Indisë, Filipineve, Egjiptit dhe disa vendeve të Amerikës Latine.
