Shpërthimi i vullkanit Etna: Hiri vullkanik shtyn sërish fluturimet në aeroportin e Catanias, rriten çmimet e fluturimeve dhe të taksive në Siçili
Fluturimet në aeroportin e Catanias, në Siçili, do të mbeten të pezulluara deri të shtunën në mëngjes, për shkak të hirit të dalë nga aktiviteti i vazhdueshëm vullkanik i malit Etna. Ky fenomen ka çuar në anulimin ose devijimin e qindra fluturimeve.
Pasagjerët janë këshilluar të verifikojnë statusin e fluturimeve të tyre pranë linjave ajrore përkatëse, përpara se të nisen drejt aeroportit. Kufizimet e zgjatura, të cilat përkojnë me kulmin e sezonit të pushimeve verore, kanë prekur mijëra pasagjerë dhe kanë shtuar presionin mbi aeroportet e tjera të Siçilisë.
Në Katania, gjatë kësaj emergjence, çmimet e udhëtimeve drejt aeroporteve të tjera siçiliane janë rritur ndjeshëm. Sipas mediave italiane, në disa raste, çmimet kanë arritur në disa qindra euro, ose madje edhe më shumë.
Me vazhdimin e emergjencës, çmimet e biletave mund të vazhdojnë të ndryshojnë me shpejtësi në orët në vijim. Situata është dinamike dhe çmimet pritet të rriten më tej. Kjo ndodh pasi çmimet, të cilat tashmë i nënshtrohen luhatjeve normale bazuar në disponueshmëri dhe kërkesë, do të vazhdojnë të rriten derisa mijëra pasagjerë të kërkojnë alternativa për të vazhduar udhëtimin e tyre dhe për të arritur në aeroporte të tjera të ishullit, theksojnë mediat italiane.
