Mjaftueshmëria e kapitalit bankar në Shqipëri: Trendet dhe analizat

Rritja e kreditimit dhe dividendët ulën raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shqiptar shënoi një rënie në tremujorin e dytë të vitit, për shkak të zgjerimit të mëtejshëm të kreditimit dhe uljes së kapitalit të sektorit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit ky tregues zbriti në 19.73%, nga 20.44% që ishte një tremujor më parë.

Megjithatë, mjaftueshmëria e kapitalit është në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku raporti ishte 19.25%. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve, të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.

Në fund të qershorit, vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar arriti në 235.6 miliardë lekë, duke shënuar një rënie të lehtë prej 1.5 miliardë lekësh krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Duke pasur parasysh se fitimi i sektorit ka vijuar të rritet gjatë tremujorit të dytë, ulja e kapitalit të sektorit mund të shpjegohet me shpërndarjen e dividendëve nga disa banka.

Megjithatë, kapitali rregullator i sektorit bankar mbetet në rritje të ndjeshme në baza vjetore, duke u rritur me 11% krahasuar me mesin e vitit 2023. Rritja e kapitalit rregullator vazhdon të mbështetet kryesisht te performanca e mirë financiare e sistemit.

Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar është në pjesën dërrmuese kapital i nivelit të parë, i cili përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, si kapitali i paguar aksionar, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të qershorit arriti në 1194 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 34 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e parë. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat, dhe zgjerimi i këtij treguesi reflekton kryesisht rritjen e kreditimit për këtë sektor. Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku është gjithashtu në rritje me 8.3% në baza vjetore.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%. Megjithatë, pas vitit 2019, ka nisur aplikimi i shtesave shtesë të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të kërkesave për kapital, duke kontribuar në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit reflekton edhe kërkesa të posaçme që aplikohen ndaj bankave të veçanta të sektorit. Kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të cilat klasifikohen si me rëndësi sistemike.

Bankat si Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka Intesa Sanpaolo kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1%. Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike, duke filluar nga 1 janari 2024, duhet të plotësojnë edhe shtesën e kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa, duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat arrin aktualisht në 15.5%.

Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje të mjaftueshmërisë së kapitalit ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe e bëjnë sektorin më pak tërheqës për investime.

Scroll to Top