Evropa rrit ndihmën, por Kievi mbetet i varur nga SHBA-ja
Një raport i Institutit Kiel thekson se 30% e armëve evropiane për Ukrainën blihen nga kompanitë amerikane.
Evropa ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën gjatë muajve maj dhe qershor 2026. Megjithatë, armatimet amerikane vazhdojnë të luajnë një rol kyç në furnizimin e Kievit, sipas gjetjeve të një studimi të ri.
Në raportin më të fundit për ndihmën ndaj Ukrainës, të publikuar nga Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, bëhet me dije se rritja e ndihmës evropiane u nxit kryesisht nga kredia mbështetëse e prezantuar rishtazi. Përmes këtij instrumenti, institucionet evropiane kanë ndarë gati 11 miliardë euro brenda dy muajve.
Përtej kësaj kredie, donatorët nga Evropa përbëjnë shumicën e ndihmave të reja të alokuara për Ukrainën. Megjithatë, hulumtimi vë në dukje se ndihma financiare dhe humanitare e përgjithshme mbetet ende dukshëm nën nivelet e shënuara gjatë vitit të kaluar.
Pavendërsisht nga iniciativat kontinentale, Evropa vazhdon të mbështetet fort te kapacitetet ushtarake të Uashingtonit për të furnizuar ushtrinë ukrainase. Midis janarit dhe qershorit 2026, donatorët evropianë kanë shpenzuar 3 miliardë euro për blerjen e armatimeve drejtpërdrejt nga kompanitë amerikane të mbrojtjes. Kjo shifër korrespondon me rreth 30% të të gjithë ndihmës ushtarake që Evropa ka ofruar përmes prokurimit nga industria e mbrojtjes.
Analisti kryesor i Ukraine Support Tracker, Federico Mellace, sqaroi se Evropa për momentin e ka të pamundur të shkëputet nga sistemi ushtarak amerikan për shkak të kufizimeve teknologjike dhe prodhuese.
Federico Mellace tha: “Evropa vazhdon të varet nga qasja në sistemet e armëve amerikane për të mbajtur në këmbë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën. SHBA-ja mbetet furnizuesi kryesor i sistemeve të tilla si ‘Patriot’, për të cilat Evropa aktualisht ka alternativa mjaft të kufizuara.”
