Sondazh Gjermani: CDU/CSU në rënie, AfD kryeson

Gjermania: CDU/CSU në pikën më të ulët historike në gati 5 vite, AfD kryeson me 8 pikë diferencë

Sipas një sondazhi të publikuar nga gazeta gjermane “Bild”, i realizuar nga agjencia INSA, mbështetja për bllokun qeverisës CDU/CSU ka arritur nivelin më të ulët në pothuajse pesë vjet. Kjo rënie i ka lënë ata 8 pikë përqindjeje pas partisë AfD.

Në sondazhin, ku u anketuan 1,203 persona në të gjithë Gjermaninë nga data 10 deri më 14 gusht, CDU/CSU mori 20% të mbështetjes, duke shënuar një rënie prej një pike krahasuar me javën paraprake. Ky është rezultati më i dobët i partisë që nga tetori i vitit 2021. Marzhi i gabimit është 3.1 pikë përqindjeje.

Nga ana tjetër, AfD ruajti vendin e parë në sondazh me 28% të mbështetjes. Të Gjelbrit morën 13%, ndërsa SPD dhe Die Linke u renditën me nga 12%. FDP siguroi 5% të votave, ndërsa Aleanca Sahra Wagenknecht mori 3%.

Si pasojë, dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës, CDU/CSU dhe SPD, së bashku arrijnë në 32%, duke qenë vetëm katër pikë përpara AfD-së.

Kjo rënie e mbështetjes për qeverinë e drejtuar nga kancelari Friedrich Merz vjen në një periudhë kur koalicioni po përballet me kritika për stanjacionin ekonomik, mosrealizimin e disa premtimeve parazgjedhore dhe mosmarrëveshjeve të brendshme lidhur me taksat, mirëqenien sociale dhe prioritetet e shpenzimeve.

Edhe vlerësimi personal për kancelarin Merz rezulton negativ. Vetëm 16% e të anketuarve shprehen të kënaqur me punën e tij, ndërsa 78% janë të pakënaqur. Rreth katër në pesë të anketuar nuk e miratojnë performancën e qeverisë federale.

Hermann Binkert, drejtori i INSA, deklaroi për “Bild”: “Mbështetja nuk ka qenë kurrë kaq e ulët dhe refuzimi kaq i lartë”. Ai shtoi se ky trend mund të jetë veçanërisht shqetësues për partitë qeverisëse, pasi edhe një pjesë e konsiderueshme e mbështetësve të tyre nuk e miratojnë më punën e kabinetit.

Scroll to Top