BE-ja zgjeron sanksionet ndaj Rusisë: çfarë pritet në vjeshtë?

Luftimet në Ukrainë vazhdojnë që nga shkurti i vitit 2022. Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, e cila do të prezantohet në vjeshtë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt, deklaroi se po përgatitet të propozojë rritjen e numrit të subjekteve ruse që do t’i nënshtrohen sanksioneve për shkak të luftës në Ukrainë.

“Këtë vjeshtë, unë po propozoj listën më ambicioze të sanksioneve që nga fillimi i luftës. Pasi të miratohen, këto masa do ta rrisin menjëherë numrin e përgjithshëm të subjekteve ruse që i nënshtrohen sanksioneve me një të tretën”, tha ajo.

“Që kur forcat e armatosura ruse pushtuan territorin ukrainas në shkurt 2022, sanksionet e BE-së i kanë kushtuar shtrenjtë Rusisë, duke i privuar makinës së saj të luftës mbi një trilion euro”, theksoi gjithashtu Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidentja e Komisionit.

Scroll to Top