“`html
Eksportet përmirësohen në korrik, fasoni thellon rënien, ushqimet ndalin rritjen
Pas një ngadalësimi në maj dhe një përmirësimi në qershor, eksportet kanë përshpejtuar ritmet në korrik, duke u zgjeruar me 10.61% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, sipas të dhënave të INSTAT. Megjithatë, grupi më i madh në vend për shitje jashtë vendit, ai i tekstileve dhe këpucëve, ka vijuar me tendencën tkurrëse.
Ndërkohë, grupe të tjera kryesore si materialet e ndërtimit, makineritë dhe pajisjet, si dhe minerale, lëndë djegëse e energji elektrike, shënuan rritje dyshifrore. Produktet ushqimore gjithashtu regjistruan një zgjerim pozitiv, por vetëm me 1%.
Në korrik 2026, eksportet e mallrave arritën vlerën 33.6 miliardë lekë, duke u rritur me 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak dhe me 8.3% krahasuar me maj 2026, raportoi INSTAT.
Në rritjen e eksporteve prej 10.6% në korrik, kontribuan pozitivisht grupet:
- “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8.9 pikë përqindje
- “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5.3 pikë përqindje
- “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0.9 pikë përqindje
Ndërkohë, negativisht ndikuan grupet:
- “Tekstile dhe këpucë” me -4.3 pikë përqindje
- “Produkte kimike dhe plastike” me -0.6 pikë përqindje
Për periudhën 7-mujore (janar-korrik 2026), eksportet ishin 227 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 6.7%. Edhe gjatë kësaj periudhe, ndikimi kryesor pozitiv erdhi nga mineralet, lëndët djegëse, energjia, materialet e ndërtimit dhe makineritë, ndërsa efekti më negativ ishte nga tekstilet dhe këpucët.
Fasoni vijon me rënie të fortë
Eksportet nga industria e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar rënie muaj radhazi. Në korrik, rënia ishte 13.8%, duke u thelluar krahasuar me qershorin (-3.8%). Për gjithë 7-mujshin, eksportet nga ky sektor ishin 59.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 7.7% (-4.9 miliardë lekë), duke qenë i vetmi grup i madh me tendencë negative.
Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e euros, e cila zbriti në nivelin më të ulët historik sërish në qershor, duke iu afruar 94 lekëve. Arsye të tjera përfshijnë vështirësitë në importimin e lëndëve të para dhe rritjen e kostove, si dhe rënien e kërkesës nga Europa. Kjo situatë po detyron shumë kompani të mbyllen dhe të largohen drejt vendeve me kushte ekonomike më favorizuese.
Rritet energjia dhe lëndët djegëse
Ndryshe nga fasoni, eksportet e lëndëve djegëse kanë përfituar nga situata. Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” eksportoi 6.5 miliardë lekë në korrik 2026, me një rritje të fortë prej 32% vjetore, falë çmimeve të favorshme në bursa. Për 7-mujshin, ky grup ka eksportuar 49.1 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 23%. Ky është grupi i dytë më i madh në vend, duke zënë rreth 22% të totalit.
Ushqime, pije e duhan me rritje frenuar
Grupi “Ushqime, pije e duhan”, i cili ka pasur një ecuri të mirë vitet e fundit dhe është një nga dy sektorët me rritje në 2026, ka shënuar një përmirësim, por në korrik rritja u frenua, duke u rritur vetëm me 1% vjetore. Për gjashtë mujorin, grupi u zgjerua me 3%. Ky grup ka kaluar në vendin e tretë më të madh në vend, me 16% të totalit.
Materiale ndërtimi e metale me rritje
“Materialet e ndërtimit dhe metalet”, pas një rënieje prej 25.4% në vitin 2025, janë kthyer në rritje në periudhën mars-korrik 2026, duke u zgjeruar me 72% në qershor. Për 7-mujshin, eksportet u rritën 22.5%.
Industria mbështetëse automotive me ecurinë më pozitive këtë vit
Grupi “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ka pasur ecurinë më pozitive në 7-mujorin e parë. Shitjet e tij arritën në 26.6 miliardë lekë, me një rritje prej gati 13.5%. Në korrik, shitjet e këtij sektori jashtë vendit u rritën me 7.8%. Ky grup, ku peshën kryesore e mban industria automotive, është rimëkëmbur që nga fundi i vitit të kaluar.
Presionet kryesore për këtë industri lidhen me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e euros dhe rritjen e pagës minimale.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në korrik 2026, vendet me rritjen më të madhe të eksporteve për Shqipërinë ishin Greqia (19.0%) dhe Gjermania (2.5%). Vendet me rënien më të madhe të eksporteve ishin Italia (2.0%) dhe Kosova (2.4%).
Ndërkohë, vendet me rritjen më të madhe të importeve ishin Italia (0.3%) dhe Kina (22.7%).
Zbutet deficiti tregtar
Në korrik 2026, eksportet e mallrave arritën 33.7 miliardë lekë, duke u rritur me 10.6% krahasuar me një vit më parë, por duke u ulur me 5.0% krahasuar me qershor 2026. Importet e mallrave arritën 86.4 miliardë lekë, duke u rritur me 3.6% krahasuar me një vit më parë dhe me 3.5% krahasuar me qershor 2026.
Deficiti tregtar i këtij muaji ishte 52.8 miliardë lekë, duke u ulur me 0.5% krahasuar me një vit më parë, por duke u rritur me 9.8% krahasuar me qershor 2026.
“`
