Prona Shtetërore mbi 70-vjeçare: Verifikim Interesi Kulturor

Pronat shtetërore mbi 70-vjeçare do të verifikohen për interes kulturor

Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit, të ndërtuara më shumë se 70 vjet më parë ose që mund të kenë vlera historike, arkitektonike apo arkeologjike, do të përfshihen në lista të posaçme për t’iu nënshtruar verifikimit të interesit kulturor. Këto rregulla të reja janë përcaktuar në një udhëzim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare.

Akti përcakton kriteret për identifikimin e pronave shtetërore, dokumentimin e tyre dhe dërgimin e dosjeve pranë institucioneve të trashëgimisë kulturore. Sipas udhëzimit, në listat për verifikim përfshihen pronat që plotësojnë të paktën një prej disa kritereve.

Një nga kriteret kryesore është që objekti të jetë “ndërtuar ose krijuar më shumë se 70 vjet” përpara hartimit të listës. Gjithashtu, në proces mund të futen ndërtesa apo prona që paraqesin shenja të vlerave historike, artistike, arkitektonike, arkeologjike ose etnografike. Kriteret shkojnë përtej moshës së ndërtesës.

Verifikimit mund t’i nënshtrohen pasuri që shfaqen në dokumente historike, arkivore, bibliografike ose hartografike, si dhe ato që ndodhen brenda qendrave dhe ansambleve historike, peizazheve kulturore apo zonave arkeologjike.

Procesi mund të nisë edhe nga propozime të institucioneve të trashëgimisë, autoriteteve që administrojnë pronën, pushtetit vendor, komuniteteve lokale ose organizatave të shoqërisë civile.

Listat do të hartohen nga institucioni që administron pronën, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Për këtë do të përdoren dokumentet administrative, teknike, kadastrale dhe historike, si edhe informacioni i mbledhur nga verifikimet në terren.

Për çdo pronë do të kërkohet një grup i gjerë të dhënash:

  • Emërtimi
  • Vendndodhja dhe koordinatat gjeografike
  • Të dhënat kadastrale (kur ekzistojnë)
  • Institucioni që e administron
  • Gjendja fizike dhe përdorimi aktual
  • Informacion paraprak mbi vlerat e mundshme kulturore

Listat duhet të përgatiten dhe të ruhen në format elektronik. Përveç listës, për çdo pasuri do të hartohet një skedë e veçantë, e cila do të mbështetet në verifikimin në terren, dokumentacionin teknik dhe kadastral, arkivat historike, fotografitë dhe hartat.

Udhëzimi kërkon që informacioni të jetë “i plotë, i saktë dhe i përditësuar”. Skeda do të përmbajë edhe të dhëna për historikun e objektit, arkitekturën, ndërhyrjet e mëparshme për konservim apo restaurim, materialet e ndërtimit dhe elementet konstruktive. Modeli i miratuar kërkon gjithashtu të dhëna mbi pronësinë, sipërfaqen, numrin e kateve dhe aksesin në pronë.

Një pjesë e veçantë e dokumentimit lidhet me gjendjen e pronës dhe rreziqet. Skedat duhet të evidentojnë nëse objekti është në përdorim, përdoret pjesërisht ose nuk përdoret, si dhe nëse përballet me rrezik nga tërmeti, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarri, ndryshimet klimatike apo faktorë të tjerë.

Udhëzimi vendos edhe një shkallë për gjendjen strukturore. Objektet mund të klasifikohen nga ato në gjendje të mirë dhe pa rrezik, deri te ndërtesat në nevojë restaurimi, objektet me rrezik qëndrueshmërie dhe ato plotësisht të shkatërruara e jashtë funksioni.

Pas përgatitjes, listat dhe skedat i dërgohen Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore së bashku me fotografitë, hartat dhe dokumentacionin kadastral të disponueshëm. Instituti ka 15 ditë pune për të kontrolluar nëse dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me kërkesat. Nëse dosja ka mangësi, institucioni administrues duhet ta plotësojë ose korrigjojë brenda një afati që nuk mund të jetë më i gjatë se 20 ditë pune. Në raste të arsyetuara, ky afat mund të zgjatet edhe me 10 ditë të tjera.

Nëse dokumentacioni nuk plotësohet në kohë, procedura mbyllet dhe një paraqitje e mëvonshme trajtohet si kërkesë e re.

Kur verifikimi përfundon dhe ministri përgjegjës e deklaron objektin pasuri kulturore, dokumentacioni përcillet për regjistrim në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore. Marrja e statusit të pasurisë kulturore nuk ndryshon pronësinë ose institucionin që administron objektin. Prona vazhdon të administrohet nga institucioni përkatës, por do t’i nënshtrohet detyrimeve, kufizimeve dhe kërkesave që burojnë nga legjislacioni për trashëgiminë kulturore.

Scroll to Top