Tatimet: Fokus te Shitjet & Shërbimet Online, Regjistrimi & Xhiro

Tatimet fokusohen te shitjet dhe shërbimet online, duke vënë theksin te regjistrimi dhe deklarimi i xhiros.

Pas aksionit të ndërmarrë në sektorin e ndërtimit dhe tregun e agjencive imobiliare, administrata tatimore do të përqendrojë zbatimin e Planit Sektorial në Tregtinë dhe Shërbimet Online.

Ky plan, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, është një iniciativë që synon të forcojë pajtueshmërinë tatimore, të formalizojë ekonominë dixhitale dhe të krijojë kushte të barabarta konkurrence për bizneset që veprojnë në internet.

Plani mbështetet në analizën e zhvillimit të tregtisë elektronike në Shqipëri, e cila ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, si dhe në kuadrin ligjor dhe strategjik aktual, duke përfshirë Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 dhe Planin Strategjik të Administratës Tatimore 2024–2028.

Në kuadër të zbatimit të planit, do të identifikohen dhe analizohen risqet kryesore të sektorit, duke u fokusuar në:

  • Regjistrimin e tatimpaguesve.
  • Deklarimin e saktë të qarkullimit.
  • Përmbushjen e detyrimeve për TVSH.
  • Deklarimin e punonjësve dhe pagave.
  • Respektimin e detyrimeve për faturimin elektronik.

Gjithashtu, plani parashikon përdorimin e analizës së riskut, shkëmbimin e të dhënave me institucione dhe operatorë të tjerë, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për rritjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe trajtimin e rasteve me risk të lartë.

Përmes këtij plani, Administrata Tatimore synon të mbështesë zhvillimin e një tregu online transparent dhe të formalizuar, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe duke kontribuar në uljen e ekonomisë informale dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.

Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtisë dhe shërbimeve online të përmbushin detyrimet e tyre tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke kontribuar në formalizimin e ekonomisë, zhvillimin e një tregu transparent dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.

Plani Operacional për sektorin e ndërtimit, me qëllim monitorimin dhe kontrollin e praktikave financiare në këtë sektor, nisi në mes të muajit Dhjetor. Fillimisht, ky plan u zbatua mbi një fushatë informuese që zgjati 30 ditë. Pas përfundimit të saj, tatimet filluan kontrollet për subjektet që nuk i ishin përgjigjur thirrjeve të administratës tatimore.

Scroll to Top