Punimet Tiranë-Durrës përparojnë, rrethrrotullim i ri në Kashar

Punimet në segmentin Tiranë-Durrës kanë arritur në 26% për fazën e tretë, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e ndërtimit të një rrethrrotullimi në Kashar.

Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, në fazën e tretë, kanë përparuar deri në 26%. Paralelisht, autoritetet po vlerësojnë një zgjidhje të re për qarkullimin e banorëve dhe bizneseve në zonën e Kasharit, duke përfshirë opsionin e një rrethrrotullimi.

Të hënën, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kanë zhvilluar një inspektim në kantierin e fazës së tretë, pas përfundimit të dy fazave të para të zgjerimit.

Faza e tretë parashikon zgjerimin e autostradës në tre korsi lëvizjeje dhe një korsi emergjence, si dhe ndërhyrje në nyjet e Laknasit dhe Kasharit.

“Kjo fazë e kontratës përfshin zgjerimin në tre korsi dhe një tjetër për emergjencat. Gjithashtu, përfshihet mbikalimi në disnivel i Laknasit dhe ndërtimi i mbikalimit të ri të Kasharit, i cili do të jetë me strukturë metalike dhe me gjatësi 94 metra,” ka shpjeguar Ami Kozeli.

Sipas tij, ecuria e punimeve ka arritur aktualisht në 26%, ndërsa kantieri është aktivizuar në disa fronte njëkohësisht.

“Punimet janë të hapura në disa fronte. Ne ndodhemi në frontin ku po kryhet mbushja e bazamentit dhe tombinos, ndërkohë që në drejtimin Tiranë-Durrës kanë përfunduar muret mbajtëse dhe po vijon mbushja e trupit të rrugës,” ka shtuar Kozeli.

Një pjesë thelbësore e projektit fokusohet te nyja e Laknasit. Kjo nyje është projektuar si një strukturë në disnivel me katër rampa (dy hyrëse dhe dy dalëse), si dhe një nyje në nivel për menaxhimin e trafikut në zonën e banuar.

“Sa i përket nyjës së Laknasit, kemi një nyje në disnivel me katër rampa, dy hyrëse dhe dy dalëse, si dhe një nyje në nivel që do të shërbejë për trafikun dhe mjetet, pasi aty është një zonë e banuar, pra një komunitet i tërë,” ka sqaruar Kozeli.

Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e një rruge lidhëse prej rreth 300 metrash mes nyjës në disnivel dhe asaj në nivel.

Gjatë inspektimit, u diskutua edhe shqetësimi i ngritur nga bizneset dhe banorët lidhur me lëvizjen në zonën e Kasharit. Sipas ministrit, një nga alternativat në shqyrtim është vendosja e një rrethrrotullimi, për të eliminuar nevojën që mjetet të udhëtojnë deri në Vorë ose Casa Italia për të kryer manovra kthimi.

“Bizneset dhe banorët kanë ngritur si shqetësim pjesën e kalimit sa i përket Kasharit dhe aty është menduar vendosja e një rrethrrotullimi, për të shmangur udhëtimin deri në Vorë apo Casa Italia për të bërë kthimin dhe daljen në nyjën e Rinasit,” ka deklaruar ai.

Kozeli ka informuar se kontraktori po përgatit një propozim që do t’i paraqitet për diskutim Këshillit Teknik.

“Kontraktori po përgatit një propozim që do ta sjellë për diskutim në Këshillin Teknik,” ka thënë ai, duke shtuar se hapësira në zonë kufizon mundësinë e ndërtimit të një rrethrrotullimi me diametër të madh.

“Duhet gjetur një zgjidhje që të mos sjellë trafik të rënduar,” u theksua gjatë inspektimit.

Afati përfundimtar për fazën e tretë të kontratës është prilli 2027. Sipas ARRSH-së, segmenti i rrugës nuk është i gjatë, por përfshin një numër të konsiderueshëm veprash arti dhe konsiderohet kompleks nga ana teknike.

Projekti përfshin gjithashtu mobilimin urban dhe ndërtimin e gjashtë mbikalimeve për këmbësorët në pika ku më parë kanë ekzistuar kalime me devijime të vogla. Sipas Kozelit, këto mbikalime të reja do të kenë një gjatësi prej rreth 72 metrash.

Scroll to Top