Panair Pune BH: Mundësi për Shqipërinë & Rajonin

Një mundësi për kompanitë shqiptare, platformë e re për punësimin, rrjetëzimin dhe biznesin në rajon

Bosnja-Hercegovina po përgatitet për një edicion të ri të Panairit të Punës “Gledaj sebi posla”, një nga platformat më të rëndësishme në vend për punësimin dhe lidhjen e aktorëve kryesorë të tregut të punës, organizuar nga Ministria Federale e Punës dhe Politikës Sociale.

Panairi do të zhvillohet më 3 dhe 4 shtator 2026 në Sarajevë. Pritet pjesëmarrja e më shumë se 100 punëdhënësve, institucioneve dhe organizatave, duke e kthyer panairin në një pikë takimi mes kompanive që kërkojnë punonjës të rinj dhe personave që kërkojnë punë, zhvillim profesional dhe mundësi të reja.

Ngjarja ka edhe një dimension më të gjerë rajonal, pasi Bosnja-Hercegovina dhe Shqipëria lidhen nga marrëdhënie të mira dypalëshe, si dhe nga lidhje të forta njerëzore, biznesi dhe ekonomike, me interes të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe ndërlidhjes rajonale.

Një hallkë e rëndësishme mes dy vendeve është komuniteti shqiptar në Bosnjë-Hercegovinë, anëtarët e të cilit janë aktivë në profesione të ndryshme, në sipërmarrje dhe në sektorin e biznesit. Prania e tyre përbën një lidhje të rëndësishme mes dy vendeve, si dhe një mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetëzimit profesional dhe të biznesit.

Për sipërmarrësit dhe kompanitë shqiptare që operojnë tashmë në Bosnjë-Hercegovinë, panairi përbën një mundësi për t’u lidhur me punonjës potencialë, partnerë biznesi dhe institucione. Në të njëjtën kohë, ai hap mundësi edhe për ata që po shqyrtojnë perspektiva profesionale dhe biznesi në tregun boshnjak.

Çështja e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për Bosnjë-Hercegovinën. Në një kohë kur vendi po përballet me nevojë në rritje për punonjës, përmirësimet në kuadrin ligjor që rregullon punësimin e shtetasve të huaj po krijojnë mundësi për integrimin më efikas të punëtorëve të huaj, duke ruajtur njëkohësisht mbrojtjen e tregut vendas të punës.

“Sot nuk mund ta shohim më tregun e punës vetëm brenda kufijve të një shteti. Kompanitë kërkojnë njerëz, njohuri, partnerë të rinj dhe tregje të reja, ndërsa njerëzit kërkojnë vende pune cilësore dhe mundësi ku mund të realizojnë potencialin e tyre. Pikërisht për këtë arsye duam që Panairi i Punës ‘Gledaj sebi posla’ të jetë më shumë sesa një vend ku takohen punëdhënësit dhe punëkërkuesit. Duam që ai të jetë një hapësirë për lidhjen e kompanive nga Bosnjë-Hercegovina dhe rajoni, për shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e mundësive të reja të biznesit,” tha për “Monitor” ministri federal i Punës dhe Politikës Sociale, Adnan Delić.

Ministri Delić shtoi se detyra e qeverisë është të mundësojë një lëvizshmëri të tillë përmes rregullave të qarta ligjore dhe procedurave më të thjeshta, duke mbrojtur në të njëjtën kohë tregun vendas të punës.

“Një treg pune i hapur dhe i ndërlidhur nuk do të thotë më pak mundësi për njerëzit tanë. Përkundrazi, do të thotë më shumë hapësirë për kompanitë tona që të rriten, të punësojnë, të lidhen me partnerë dhe të mbeten konkurruese edhe në tregje të tjera,” përfundoi Delić.

Përtej formatit tradicional të një panairi pune, aktiviteti do të përfshijë një sërë panelesh, podkastesh, seminaresh dhe diskutimesh, me fokus te e ardhmja e punës, aftësitë e kërkuara, tendencat demografike, lëvizshmëria e fuqisë punëtore dhe nevojat e punëdhënësve, duke hapur njëkohësisht diskutime që shkojnë përtej kufijve kombëtarë.

Për lexuesit shqiptarë, kompanitë dhe profesionistët e interesuar për Bosnjë-Hercegovinën, Sarajeva ofron një mundësi për të zbuluar perspektiva të reja, për të krijuar kontakte dhe për t’u bërë pjesë e një tregu rajonal pune gjithnjë e më të ndërlidhur. Mundësitë në tregun e sotëm të punës nuk përfundojnë në kufijtë kombëtarë dhe ky panair është një shembull i qartë i kësaj.

Nga Naida Kurdija, korrespondente e Monitor në Bosnjë-Hercegovinë

Scroll to Top