Shqipëria humbet garën ekonomike rajonale

“`html

Konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare, Jorida Tabaku: Shqipëria po humbet garën në rajon

Nga Jorida Tabaku

Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë ndaj vendeve të rajonit dhe, me të, garën për këtë shekull. Integrimi europian nuk është thjesht një proces anëtarësimi që do të zgjidhë automatikisht problemet tona. Ai është një garë e përditshme për investime të huaja, teknologji, eksporte, vende pune cilësore dhe rritje të qëndrueshme të të ardhurave të familjeve shqiptare. Dhe kjo garë do të bëhet gjithnjë e më e ashpër.

Aktualisht, mirëqenia materiale e familjeve shqiptare mbetet ndër më të ulëtat në rajon. Rreth 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa qeraja, energjia dhe kostot e tjera të banesës e rëndojnë edhe më tej jetesën.

Por problemi nuk është vetëm sa pak konsumojnë familjet. Problemi qëndron te struktura e ekonomisë që duhet t’i prodhojë këto të ardhura. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2025 prodhimi industrial i Shqipërisë ishte 15,3% më i ulët se në vitin 2021. Midis 35 ekonomive europiane, vetëm Ukraina, një vend në luftë, pati një rezultat më të dobët. Në të njëjtën periudhë, Serbia e rriti prodhimin industrial me 8,8%. Ajo ka tërhequr fabrika, ka zhvilluar industrinë automotive dhe prodhon automjete, pajisje elektrike dhe pjesë këmbimi për tregun europian.

Ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër. Zvlerësimi i euros ka goditur eksportuesit shqiptarë: të ardhurat e tyre janë në euro, ndërsa pagat, energjia dhe kostot e tjera paguhen në lekë. Sektori i fasonerisë e ndien më fort këtë goditje, sepse aty preken drejtpërdrejt mbi 130 mijë familje. Por problemi nuk kufizohet te fasoneria; ai prek të gjithë manifakturën dhe industrinë shqiptare.

Turizmi dhe ndërtimi mund të kontribuojnë në ekonomi, por nuk mund të jenë të vetmit motorë të një vendi që kërkon të zhvillohet dhe të konkurrojë në Europë. Shihni Greqinë, për shembull, që sot ka një peshë të lartë të turizmit, por diversifikon edhe në fushën e industrisë. Një ekonomi moderne duhet të prodhojë, të përpunojë, të eksportojë dhe të investojë në teknologji.

Dy vjet më parë, kur kërkoja një politikë serioze për industrinë automotive, përgjigjja e qeverisë ishte projekti i një piste të Formula 1 në Elbasan. Por pista nuk zëvendëson industrinë. Serbia ndërtoi fabrika dhe zinxhirë furnizimi; Shqipëria prodhoi prezantime dhe propagandë.

E njëjta gjë ka ndodhur në teknologji. Përjashtimet tatimore nuk përbëjnë strategji. Pa arsim cilësor, sundim të ligjit, financim, kërkim shkencor dhe një mjedis të ndershëm konkurrues, nuk krijohet një ekosistem teknologjik dhe nuk tërhiqen investitorë seriozë.

Modeli ekonomik i ndërtuar gjatë këtyre viteve ka favorizuar përqendrimin e tregjeve, monopolet dhe përdorimin e pasurive kombëtare në shërbim të një pakice. Ai nuk ka ndërtuar një ekonomi që u shërben shumicës dhe u jep të rinjve arsye për të qëndruar në Shqipëri.

Kjo është arsyeja pse duhet të ndryshojmë. Shqipërisë i duhet një ekonomi që prodhon dhe eksporton; taksa më të ulëta dhe të parashikueshme; konkurrencë që ul çmimet; treg i lirë, meritokraci dhe mbështetje reale për sipërmarrjen.

Integrimi europian nuk na e dhuron konkurrueshmërinë. Ajo fitohet çdo ditë. Dhe sot, fatkeqësisht, Shqipëria po e humbet këtë garë.

“`

Scroll to Top