Incidenti në kufi: Droni rus hyn në hapësirën ajrore, Rumania ngre avionët e NATO-s
Rumania ka ngritur në ajër avionë luftarakë të misionit të NATO-s pasi një dron hyri në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi masiv rus me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës gjatë natës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, radari ushtarak ka identifikuar një grup objekivash ajrorë pranë kufirit ukrainas, në veri të qarkut të Tulceas.
Për të monitoruar situatën, janë ngritur menjëherë dy avionë luftarakë spanjollë F-18, të cilët janë pjesë e misionit të patrullimit ajror të Aleancës, si dhe një helikopter ushtarak rumun IAR-330 SOCAT për një mision zbulimi. Autoritetet lëshuan gjithashtu sinjale alarmi për popullsinë e zonës së prekur.
Ministria sqaroi se droni hyri në hapësirën ajrore rumune rreth 13 kilometra në lindje të qytetit Galați. Vetëm tre minuta më vonë, ekuipazhi i helikopterit rumun raportoi se droni u rrëzua rreth katër kilometra në verilindje të fshatit Grindu, në Qarkun Tulcea. Përplasja shkaktoi një zjarr që u shua vetvetiu, ndërsa nuk u raportuan viktima apo dëme materiale. Një ekip ushtarak u dërgua menjëherë për të siguruar perimetrin e rënies.
Ky incident vjen vetëm katër ditë pasi një avion spanjoll F-18 rrëzoi një tjetër dron që hyri në hapësirën ajrore rumune nga territori i Moldavisë. Edhe pse autoritetet rumune nuk e identifikuan zyrtarisht përkatësinë e mjetit fluturues, një zëdhënës i NATO-s deklaroi se dyshohet se ai i përkiste forcave ruse.
