Vrasja e turistit 20-vjeçar në Ksamil, reagon qeveria portugeze: Po monitorojmë rastin, informacion vetëm nga mediet lokale
Qeveria e Portugalisë ka reaguar pas vrasjes së një turisti 20-vjeçar portugez në Ksamil. Autoritetet portugeze deklarojnë se po ndjekin nga afër ngjarjen dhe po mbajnë kontakte me autoritetet shqiptare.
Raquel Trindade, nga zyra e Ministrit portugez të Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se autoritetet e Lisbonës nuk kanë marrë ende informacion zyrtar lidhur me ngjarjen dhe hetimet që po zhvillohen në Shqipëri për vrasjen me thikë të Luis Miguel Varela Mendes.
“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që humbi jetën në Shqipëri dhe, nëpërmjet ambasadës së saj në Romë si dhe konsullatës së nderit në Tiranë, po bashkëpunojmë me autoritetet lokale”, është shprehur Trindade.
Zyrtarja portugeze ka konfirmuar gjithashtu se, për momentin, autoritetet nuk disponojnë një informacion të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.
“Për momentin, ende nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se informacionet paraprake për ngjarjen janë marrë përmes mediave shqiptare.
“Ne e morëm vesh nga shtypi lokal se ka pasur arrestime, por për momentin nuk kemi ende informacion përmes rrjetit tonë”, tha Trindade.
20-vjeçari kishte mbërritur në Ksamil dy ditë para ngjarjes së bashku me një grup turistësh francezë dhe planifikonin të largoheshin drejt Spanjës më 26 gusht.
Pas një konflikti të dhunshëm në ambientet e lokalit “Principote”, ai mbeti i vrarë me thikë dhe u braktis për disa orë në shezlongët e plazhit.
Për vrasjen e tij është arrestuar Sokrat Vata nga Hasi. I gjithë konflikti fizik ndodhi në plazh, ku, sipas hetimeve, David Heurtevent e goditi me grushte turistin, ndërsa Sokrat Vata e goditi me thikë. 20-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.
Davidi Heurtevent është shpallur në kërkim, ndërsa Sokrat Vata u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e makinës së një çifti turistësh turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak.
Gjatë marrjes në pyetje, Sokrat Vata ka deklaruar se sherri nisi për shkak të zhurmës dhe ka pretenduar se thikën e kishte turisti portugez, të cilën ai ia kishte marrë nga dora dhe më pas e kishte goditur.
Në ambientet e lokalit, në momentin e ngjarjes, ndodhej edhe pronari Bekim Bulica, i cili u largua pa e kallëzuar krimin në polici. Ndërkohë, katër kamerierë janë vënë në pranga.
Në momentin e konfliktit, në lokalin “Principote” ndodheshin edhe katër truproja: Miosid Matushaj, oficer policie në Gjirokastër; Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit; Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër dhe Kristi Koshi.
Sipas policisë, ata nuk ndërhynë për të parandaluar ngjarjen, ndaj janë vënë në pranga dhe janë pezulluar nga detyrat.
