Braçe kritikon presidentin e Dinamos për menaxhimin financiar: “La nam kudo në botë, ua hodhi paratë në turinj futbollistëve. A ka FSHF hetim financiar?”
Publikuar më 19.08.2026 nga Shek
Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, ka bërë bujë në rrjetet sociale pas publikimit të pamjeve nga dhomat e zhveshjes, pas fitores 4-0 kundër Audas, rezultat ky që i siguroi skuadrës kryeqytetase kualifikimin për herë të parë në “play-off”-in e Conference League.
Në pamjet virale, Bardhi shihet duke nxjerrë një qese të zezë plot me euro përpara lojtarëve. Ky gjest ka tërhequr vëmendjen jo vetëm në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarisht, duke u shpërndarë në Itali e deri në Argjentinë.
Për këtë episod ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Braçe e cilësoi veprimin e Bardhit si “lënie nami”, duke u fokusuar veçanërisht te pamjet me paratë në një qese të zezë.
Deputeti socialist shtoi se këto pamje mund t’i vështirësojnë argumentimin e tij për ligjin e sponsorizimit në sportin shqiptar, sidomos në futboll, përballë ministrit të Financave.
Reagimi i Braçes vjen në një moment kulmor për Dinamon, e cila po shënon një sukses të rëndësishëm në arenën evropiane, duke u kualifikuar për herë të parë në “play-off”-in e Conference League.
Reagimi i plotë i Erion Braçes, deputet i PS-së:
“Shiheni videon; Kjo është të lësh nam nga Shqipëria në Argjentinë. E kthim-me para në qese të zezë në dorë. Diario.Ole është media në Argjentinë dhe po xhiron në gjithë botën këto pamje shqiptare! Dëgjoni; Unë kam qenë për shumë gjatë kundër një ligji për sponsorizimin, me fokus sportin e posaçërisht futbollin. Nisur nga realiteti i parave në qese të zeza që qarkullojnë në sport, posaçërisht futboll. Këto pamje më provojnë që kam pasur të drejtë, por edhe që ministrat e financave që kanë kundërshtuar kishin të drejtë.
Për shkak se jam tifoz futbolli – e dinë të gjithë këtë, duke parë nga afër vështirësitë financiare të klubeve të futbollit, të cilat shkojnë drejt rrënimit, jo drejt zhvillimit, duke parë që sukseset e ekipit kombëtar nuk po e ndihmojnë futbollin në çdo nivel, vjet në nëntor propozova një ligj për sponsorizimin e sportit! Ndryshova qëndrim, poooooo! Ministri i Financave jo!
Pas këtyre pamjeve, realisht nuk di a t’i mbush mendjen ministrit të Financave për ta pranuar atë ligj; Thelbi i tij është që një pjesë nga fitimet e çdo kompanie t’i shkojnë sportit, por në rrugë të ligjshme e në bilance transparente e të pastra të sportit; Jo në qese të zeza e duke ia hedhur surratit lojtarëve, mu si ata të dehurit nëpër dasma apo ambiente tallavaje! Nuk ndodh kërkund tjetër kjo!
Sinqerisht, unë nuk e di ç’bën në jetën tjetër presidenti i Dinamos, pra përtej futbollit, nuk më intereson fare; Por shpresoj të mos merret me ekonomi, ndryshe do të vendosë në vështirësi të madhe organet ligjzbatuese në fushën fiskale.
Në fund, kam një pyetje për FSHF-në: Funksionon tek ju si institucion që organizon garat në futboll, UEFA Financial Fair Play?! Ky me qese të zeza nuk është i tillë, as për garat kombëtare e as për garat ndërkombëtare, siç kjo e UEFA-s në video!”
