Zjarre të pakontrollueshme, Ministri Nufi: Situata problematike

Zjarret po përhapen jashtë logjikës njerëzore. Ministri Nufi: Situata më problematike në Dukat dhe Gojan

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka monitoruar situatën e zjarreve në fshatin Tenë të Mirditës, ku një vatër zjarri u përhap me shpejtësi gjatë orëve të fundit. Nufi deklaroi se situata është përmirësuar falë ndërhyrjes së forcave në terren dhe dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.

Sipas ministrit, terreni i thyer e ka vështirësuar ndërhyrjen nga toka, duke kërkuar mbështetje nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve. “Para dy orësh kishim një situatë shumë të vështirë, me shpërthimin e një vatre zjarri shumë agresive. Menjëherë kanë ardhur forcat nga bashkia dhe zjarrfikësit vendorë, ndërsa është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Dy helikopterë të Forcave Ajrore kanë ndërhyrë, pasi terreni i thyer e bënte shumë të vështirë ndërhyrjen nga toka. Tashmë situata duket se është nën kontroll,” tha Nufi.

Ministri shprehu shqetësimin për numrin e lartë të vatrave të reja në Mirditë, ku raportohen çdo ditë 2-3 vatra të reja, duke ngritur dyshime për zjarrvënie të qëllimshme. “Na vjen keq që përballemi me këtë situatë, pasi në Mirditë dëgjojmë që përhapen çdo ditë nga 2-3 vatra zjarri. Është jashtë logjikës njerëzore, por është detyrë e Policisë të identifikojë shkaqet e këtyre zjarreve. Po bëjmë çmos që të mos kemi asnjë dëm në jetë njerëzore dhe banesa,” u shpreh ministri.

Nufi bëri të ditur se situata më problematike në vend vijon të jetë në Dukat të Vlorës, ku zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak të erës së fortë. Në këtë zonë janë angazhuar 105 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me dy avionë “Air Tractor”.

Një tjetër vatër problematike është ajo në Gojan të Pukës, ku zjarri është riaktivizuar në Gojan të Madh. Sipas Nufit, në zonë janë të stacionuar mbi 60 efektivë të Forcave të Armatosura, të angazhuar në përballimin e situatës. “Situata më problematike është në Vlorë, në Dukat. Zjarri po përhapet me shpejtësi dhe era na ka penalizuar. Kemi një situatë të vështirë edhe në Gojan të Pukës, për shkak të riaktivizimit të një vatre në Gojan të Madh. Pas Mirditës do të shkojmë edhe në Gojan,” tha Nufi.

Ministri përmendi gjithashtu vatra problematike në Malin e Dajtit dhe në Klos, ndërsa kujtoi situatën e vështirë të një dite më parë në Milot, ku forcat në vijën e parë të zjarrit u përballën edhe me rrezikun e shtyllave të tensionit të lartë.

Autoritetet vijojnë operacionet në terren me forca tokësore dhe mjete ajrore, ndërsa prioritet mbetet parandalimi i përhapjes së flakëve dhe mbrojtja e banesave dhe jetës së qytetarëve.

Scroll to Top