Probleme me rrjetin celular në jug të vendit; Vodafone shpjegon: Ndërprerje e përkohshme nga punimet në rrugë
Shumë përdorues kanë raportuar probleme me telefonatat përmes rrjetit celular gjatë ditës së sotme në jug të vendit, kryesisht në zonën nga Dhërmiu në Sarandë. Problematika është hasur nga përdoruesit e rrjetit Vodafone.
Burime zyrtare nga Vodafone Albania sqaruan se problematika është e lidhur me dëmtimet në rrjetin transmetues, të shkaktuara nga punime në rrugë. Sipas njoftimit të tyre:
- Më 24 gusht 2026, duke filluar nga ora 14:08, janë evidentuar ndërprerje të përkohshme të shërbimeve celulare dhe fikse në disa zona përgjatë bregdetit, nga Dhërmiu deri në Sarandë.
- Ndërprerja është shkaktuar nga punime civile në rrugë, të cilat kanë prekur linjën primare dhe atë rezervë (backup) të fibrës optike në segmentet Cukë–Gjirokastër dhe Radhimë–Orikum.
- Ekipet teknike të Vodafone po punojnë me prioritet maksimal, së bashku me ofruesin përkatës të shërbimit dark fiber në rrugët kombëtare, për rikthimin e plotë të shërbimeve sa më shpejt të jetë e mundur.
Operatori tjetër celular, One Albania, ka pohuar se ata nuk kanë pasur ndërprerje të shërbimit. Sipas tyre, përdoruesit që mund të jenë ankuar, mund të kenë pasur vështirësi në lidhjen me operatorin tjetër, Vodafone.
