Mosmarrja e rregullt e ilaçeve për diabetin tip 2 rrit rrezikun për infarkt dhe goditje në tru
Pacientët që ndjekin rregullisht trajtimin për diabetin e tipit 2 kanë një rrezik më të ulët për të pësuar infarkt miokardiak dhe goditje në tru. Këtë e konfirmon një studim i Universitetit të Kopenhagës, i drejtuar nga Jordi Merino nga Novo Nordisk Foundation Center for Basic Metabolic Research, i publikuar në revistën shkencore The Lancet Regional Health – Europe.
Shprehja e famshme e admiralit amerikan Everett Koop, “Ilaçet nuk funksionojnë te ata që nuk i marrin”, nënvizon një paralajmërim kyç, veçanërisht për personat që trajtohen për diabetin e tipit 2. Personat që nuk i marrin ilaçet e përshkruara rregullisht ekspozojnë shëndetin e zemrës dhe trurit në rreziqe më të mëdha, duke u përballur me mundësi më të larta për infarkt ose goditje në tru, krahasuar me ata që respektojnë me përpikmëri terapinë e rekomanduar nga mjeku.
Ata që ndjekin trajtimin kanë më pak rrezik
Studiuesit analizuan të dhënat e 79,510 të rriturve të diagnostikuar së fundmi me diabet të tipit 2, të cilët kishin filluar trajtim me medikamente jo-insuline gjatë periudhës 2005-2012. Të dhënat farmaceutike u monitoruan për 10 vjet, duke përcaktuar tre grupe pacientësh:
- 41% e pacientëve ndiqnin rregullisht trajtimin.
- Rreth 33% kishin një nivel mesatar të respektimit të terapisë.
- 26% ndërprenë trajtimin herët dhe treguan një nivel të ulët e të vazhdueshëm të aderimit.
Rezultatet treguan se personat që nuk i merrnin rregullisht ilaçet për diabetin kishin një rrezik 27% më të lartë për ngjarje kardiovaskulare serioze, si infarkti ose goditja në tru, krahasuar me ata që merrnin medikamentet sipas udhëzimeve. Edhe personat me respektim të pjesshëm të trajtimit treguan një rrezik 7% më të lartë.
Rreziku ishte veçanërisht i theksuar për sëmundjet ishemike të zemrës, ku mungesa e aderimit ndaj trajtimit ishte e lidhur me një rritje prej 45% të rrezikut. Ndërsa për goditjen në tru, tek personat që nuk ndiqnin rregullisht trajtimin, rreziku u rrit me 24%.
Marrja e rregullt e ilaçeve të përshkruara për diabetin e tipit 2 është një faktor thelbësor për kontrollin efikas të sëmundjes dhe për uljen e rrezikut të komplikacioneve serioze në zemër dhe tru.
