Ish-kryetarë bashkie në Turqi dënohen për korrupsion

Pesë ish-kryetarë bashkish në Turqi janë dënuar me burgime që variojnë nga disa muaj deri në mbi 23 vjet, pas gjyqeve për akuza korrupsioni. Një gjykatë në Stamboll ka shpallur vendimin ndaj zyrtarëve të Partisë Republikane Popullore (CHP), të cilët ishin arrestuar në gjysmën e parë të vitit 2025, në kuadër të hetimeve ndaj përfaqësuesve të kësaj partie.

Dënimin më të rëndë e ka marrë Riza Akpolat, ish-kryetar i bashkisë së Besiktasit në Stamboll. Ai u shpall fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe parregullsi në prokurimet publike, duke u dënuar me 23 vjet e tre muaj burg. Akpolat u lirua nga akuza për anëtarësim në një organizatë kriminale. Para gjykatës, ai ka deklaruar pafajësinë, duke i cilësuar akuzat si të bazuara në deklarata shpifëse dhe pa prova të pakundërshtueshme.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Adiyamanit është liruar nga akuzat. Një tjetër zyrtar i opozitës, i zgjedhur në vitin 2024 në një nga periferitë e Stambollit, është dënuar me tetë muaj burg me kusht për shpërdorim të pushtetit nga pakujdesia.

Në të njëjtin proces, biznesmeni Aziz Ihsan Aktas, i cili kishte implikuar disa politikanë të opozitës, është liruar nga akuzat. Ai fillimisht përballej me një dënim që mund të arrinte deri në 280 vjet burg.

Presioni ndaj CHP-së

Vendimet vijnë në një periudhë kur Partia Republikane Popullore (CHP) po përballet me arrestime dhe hetime ndaj kryetarëve të bashkive të zgjedhur nga opozita. Partia kishte shënuar fitore ndaj partisë në pushtet, AKP, në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Megjithatë, që nga ajo kohë, dhjetëra kryetarë bashkish të CHP-së janë arrestuar ose larguar nga detyra.

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga figurat kryesore të opozitës, u arrestua ndërsa përgatitej të kandidonte për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Arrestimi i tij për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon, ka shkaktuar protesta të mëdha në Turqi dhe ka ringjallur debatin mbi presionin politik ndaj opozitës.

Scroll to Top