Masakër në Haiti: Të paktën 30 të vrarë në sulmin e bandave në Kenscoff
Të paktën 30 persona kanë humbur jetën në një sulm të kryer nga banda të armatosura në një lagje të qytetit Kenscoff, në Haiti. Ky numër është konfirmuar nga kryebashkiaku i qytetit, Jean Massillon, për median Reuters.
Kenscoff, i cili ndodhet rreth 20 kilometra larg kryeqytetit Port-au-Prince, ka qenë objektiv i sulmeve të përsëritura nga banda gjatë dy viteve të fundit. Organizatat për të drejtat e njeriut më parë kanë raportuar për krime të rënda, përfshirë masakra, përdhunime dhe rrëmbime, të cilat kanë detyruar mijëra banorë të largohen nga zona.
Sipas organizatës RNDDH, numri i viktimave mund të variojë nga 30 deri në 40 persona, ndërsa të paktën 15 deri në 20 persona kanë mbetur të plagosur. Sulmi raportohet se ka filluar rreth orës 22:30 me kohën lokale.
Qeveria haitiane ka dënuar fuqishëm sulmin, duke e cilësuar atë si “të urryer”. Ajo gjithashtu ka njoftuar se forcat e sigurisë janë vënë në gatishmëri dhe janë dërguar përforcime në zonën e prekur.
Raportimet nga mediat lokale tregojnë se disa ndërtesa janë përfshirë nga flakët gjatë sulmit, mes tyre edhe banesa e mjekut dhe studiuesit të njohur Jean William Pape.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur në Haiti po fillon dislokimi i një force të re shumëkombëshe, e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, me qëllim ndihmën ndaj forcave lokale në luftën kundër bandave. Pritet që Forca e Shtypjes së Bandave (GSF), pasi të vendoset plotësisht, të përbëhet nga rreth 5,500 ushtarakë dhe policë.
