FSHZH kërkon kompani për studim fizibiliteti turizmi

Projekti i ri për turizmin: FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka nisur procedurën për përzgjedhjen e një kompanie konsulente e cila do të hartojë studimin e fizibilitetit për projektin “Projekti për Zhvillimin e Ekosistemit të Turizmit në Shqipëri”. Kjo nismë po përgatitet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore.

Sipas termave të referencës të publikuara nga FSHZH, konsulenti do të ketë përgjegjësinë të përgatisë një studim të plotë fizibiliteti. Ky studim do të mbulojë aspektet teknike, institucionale, financiare dhe ekonomike të projektit, duke përfshirë kostot, ndikimet mjedisore dhe sociale, vlerësimin e riskut dhe qëndrueshmërinë e investimeve të propozuara.

Projekti synon të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024–2030, duke u fokusuar në rritjen e konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve në destinacionet turistike. Ai parashikohet të ndërtojë mbi eksperiencën e Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, i cili përfundoi në qershor 2026.

Koncepti i projektit përfshin këto elemente kryesore:

  • Forcimin e menaxhimit të destinacioneve.
  • Investime të përzgjedhura në infrastrukturë dhe asete turistike.
  • Mbështetje për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të turizmit.
  • Zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore.
  • Rritjen e koordinimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Në fazën fillestare, fokusi gjeografik pritet të jetë klasteri i Jugut të Brendshëm. Zona të tjera potenciale do të përcaktohen gjatë përgatitjes së projektit, në varësi të gatishmërisë së investimeve, ndikimit të pritshëm dhe kufijve të financimit.

Modeli parashikon gjithashtu lidhjen e qendrave të konsoliduara turistike me zonat rurale, asetet kulturore dhe natyrore, agroturizmin, fshatrat dhe eksperiencat e turizmit në natyrë.

FSHZH do të jetë agjencia kryesore zbatuese e projektit. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë rolin e institucionit kryesor partner për orientimin strategjik. Në proces do të përfshihen gjithashtu Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Turizmit (AIDA), institucionet e punësimit dhe aftësive, pushteti vendor dhe aktorë të tjerë të sektorit.

Kompania që do të përzgjidhet duhet të disponojë ekspertizë në fushën e zhvillimit të turizmit dhe menaxhimit të destinacioneve, analizën ekonomike dhe financiare, planifikimin e infrastrukturës dhe territorit, zhvillimin institucional, çështjet mjedisore e sociale, si dhe përgatitjen e studimeve të fizibilitetit.

Scroll to Top