Vatikani i kërkon Moskës t’i japë fund luftës në Ukrainë: Konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake
Kryepeshkopi Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe ekuivalent i ministrit të Jashtëm, u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës të ndërpresin luftën dhe të hapin rrugën për negociata të vërteta.
Ky mesazh u dhënë nga Moska, gjatë takimit të Gallagher me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Le të jemi të qartë, kjo luftë duhet të marrë fund”, deklaroi Gallagher, duke qëndruar përkrah shefit të diplomacisë ruse. Ai shtoi se Selia e Shenjtë vijon ta ndjekë me shqetësim të thellë luftën në Ukrainë dhe dënon vuajtjet e civilëve.
Sipas tij, pas më shumë se katër vitesh luftime, numri i viktimave vazhdon të rritet, familjet mbeten të ndara dhe pasojat materiale e psikologjike prekin miliona njerëz.
“Konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake. Është thelbësore të krijohen kushtet për një proces serioz politik dhe diplomatik”, tha Gallagher.
Përfaqësuesi i Vatikanit kërkoi nisjen e “negociatave të vërteta” me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, duke theksuar se Papa Leoni XIV dhe Selia e Shenjtë janë të gatshëm të ofrojnë ndërmjetësimin e tyre.
Gallagher u bëri apel Moskës dhe Kievit të tregojnë gatishmëri për dialog, duke paralajmëruar se sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më e vështirë do të bëhet arritja e një marrëveshjeje dhe pajtimi.
“Vuajtjet e miliona njerëzve duhet të marrin fund”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Lavrov deklaroi se Rusia është e gatshme të rifillojë konsultimet politike me Ukrainën në nivel zëvendësministrash të Jashtëm. Ai vlerësoi qëndrimin e Vatikanit ndaj konfliktit dhe rolin e Selisë së Shenjtë në trajtimin e çështjeve humanitare.
Gallagher dhe Lavrov pranuan se, pavarësisht dallimeve mes Vatikanit dhe Moskës për një sërë çështjesh, ekzistojnë edhe fusha ku palët mund të bashkëpunojnë.
