Dolly Parton: Ikona e Country-t Që Ktheu Famën në Humanizëm
Dolly Parton, një nga figurat më të dashura dhe më të suksesshme të muzikës amerikane, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, sipas një deklarate të familjes së saj. Parton, e cila u ngrit nga varfëria në një familje të madhe në Tenesi për t’u bërë një ikonë botërore, ndërtoi një karrierë që zgjati më shumë se gjysmë shekulli. Ajo shkroi mbi 3 mijë këngë, fitoi 11 çmime Grammy dhe u shndërrua në një prej emrave më të mëdhenj të muzikës country.
Familja bëri të ditur se këngëtarja ndërroi jetë “në paqe”, ndërsa publicisti i saj, Marcel Pariseau, konfirmoi më vonë se Parton kishte përballuar me kurajë një betejë të shkurtër me kancerin.
Nga ‘një kasolle’ në Tenesi drejt majës së muzikës
Dolly Parton lindi më 19 janar 1946 në një kasolle me një dhomë në Tenesi, e katërta nga 12 fëmijët e familjes. Fëmijëria e saj ishte e varfër, por muzika ishte gjithmonë e pranishme. Në familje këndohej në dasma, funerale, festa dhe aktivitete të ndryshme të komunitetit. Një xhaxha i dhuroi kitarën e saj të parë dhe Parton mësoi ta luante që në moshën 7-vjeçare. Ajo nisi të shkruante këngë që fëmijë dhe shumë shpejt kuptoi se muzika mund të ishte rruga e saj drejt një jete tjetër. Pas përfundimit të shkollës së mesme, u zhvendos në Nashville për të ndjekur ëndrrën muzikore. Atje takoi edhe Carl Thomas Dean, burrin me të cilin do të martohej një vit më vonë dhe që do të bëhej partneri i saj për gati gjashtë dekada.
“Jolene”, “9 to 5” dhe “I Will Always Love You”
Në vitin 1967, Parton u bë pjesë e rregullt e “The Porter Wagoner Show”, duke fituar famë në Nashville. Por ajo nuk kishte ndërmend të qëndronte përgjithmonë në hijen e një artisti tjetër. Në vitin 1974 vendosi të ndiqte karrierën solo. Pikërisht në këtë periudhë lindi një prej këngëve më të famshme të saj, “I Will Always Love You”. Kënga ishte shkruar për Porter Wagoner-in, pasi Parton vendosi të largohej nga shfaqja e tij. Wagoner fillimisht nuk po e pranonte vendimin e saj. Parton shkoi në shtëpi, shkroi këngën dhe të nesërmen ia këndoi. Ai, sipas rrëfimit të saj, u emocionua deri në lot. Vite më vonë, kënga do të merrte përmasa të jashtëzakonshme kur Whitney Houston e interpretoi për filmin “The Bodyguard”. Suksesi i versionit të Houston-it i solli Parton miliona dollarë në të ardhura nga të drejtat e autorit.
Edhe “Jolene” u bë një prej këngëve të saj simbol. Parton tregonte se frymëzimi erdhi nga një arkëtare banke që i kushtonte shumë vëmendje bashkëshortit të saj. Ndërkohë, “9 to 5” u shndërrua në një himn për gratë dhe punëtorët amerikanë. Kënga ishte pjesë e filmit me të njëjtin emër, ku Parton luajti përkrah Jane Fonda-s dhe Lily Tomlin.
Një yll edhe në Hollywood
Parton nuk u mjaftua vetëm me muzikën. Në vitin 1980 debutoi në kinema me “9 to 5”, ndërsa më pas luajti në “The Best Little Whorehouse in Texas” dhe “Steel Magnolias”. Roli i saj në “Steel Magnolias” e prezantoi me një brez të ri fansash dhe forcoi imazhin e saj si një artiste që mund të kalonte natyrshëm nga skena muzikore në ekranin e madh. Ajo gjithashtu nuk u tërhoq nga temat sociale. Në vitin 2005 shkroi “Travelin’ Thru” për filmin “Transamerica”, duke marrë një tjetër nominim për Oscar. Parton ishte e njohur për qëndrimin e saj tolerant dhe pranues ndaj njerëzve të komunitetit LGBTQ+. Ajo e kishte shprehur hapur bindjen se njerëzit nuk duhet të gjykohen apo të refuzohen për atë që janë.
Nga suksesi te humanizmi
Ndoshta trashëgimia më e madhe e Dolly Parton nuk është vetëm muzika. Në vitin 1986, ajo bleu një park argëtimi në Pigeon Forge, Tennessee, dhe e riemërtoi Dolly Parton’s Dollywood. Parku u shndërrua në një prej atraksioneve më të rëndësishme të rajonit dhe në një burim të madh punësimi dhe të ardhurash. Por Parton e përdori famën dhe pasurinë e saj edhe për të ndihmuar të tjerët. Në vitin 1988 themeloi Fondacionin Dollywood dhe më vonë krijoi Bibliotekën e Imagjinatës, një program për t’u dhuruar libra fëmijëve. Programi u rrit në përmasa globale dhe ka shpërndarë qindra miliona libra. Për Parton, kjo ishte edhe një mënyrë për të nderuar babain e saj, i cili nuk dinte të lexonte. Ajo u përfshi gjithashtu në iniciativa për bursat, arsimin, ndihmën pas fatkeqësive natyrore dhe kërkimet mjekësore. Gjatë pandemisë së COVID-19, Parton dhuroi 1 milion dollarë për kërkimet mbi koronavirusin në Universitetin Vanderbilt. Emri i saj u lidh gjithashtu me financimin e hershëm të kërkimit që kontribuoi në zhvillimin e vaksinës Moderna.
Një grua që kontrollonte vetë historinë e saj
Që në moshë të re, Parton kuptoi rëndësinë e kontrollit mbi muzikën e saj. Ajo krijoi një shtëpi botuese me xhaxhain e saj Bill Owens dhe u kujdes që të ruante interesat e saj në këngët që shkruante. Një nga vendimet më të famshme të karrierës së saj erdhi në vitin 1974, kur Elvis Presley donte të regjistronte “I Will Always Love You”. Parton refuzoi, pasi menaxheri i Presley-t kërkonte një pjesë të të drejtave të botimit. Vendimi mund të dukej i rrezikshëm në atë kohë, por rezultoi një nga zgjedhjet më të zgjuara financiare të karrierës së saj. Kur Whitney Houston e ktheu këngën në një prej hiteve më të mëdha të viteve ’90, Parton përfitoi miliona dollarë nga të drejtat e autorit.
“Rockstar” dhe një kapitull i ri
Në vitin 1999, Parton u fut në Sallën e Famës së Muzikës Country. Kur u nominua për Sallën e Famës së Rock & Roll, ajo fillimisht hezitoi, duke thënë se nuk e konsideronte veten artiste rock. Por në vend që ta refuzonte plotësisht, vendosi ta përqafonte sfidën. Rezultati ishte albumi “Rockstar”, i publikuar në vitin 2023, ku ajo bashkëpunoi me emra të mëdhenj të rock-ut, përfshirë Ringo Starr dhe Paul McCartney.
Dashuria e jetës së saj
Përtej skenës, një prej historive më të rëndësishme në jetën e Parton ishte martesa me Carl Dean. Ata u martuan në vitin 1966 dhe qëndruan bashkë për 59 vjet. Dean ishte larg vëmendjes mediatike dhe rrallë shfaqej publikisht, por Parton e përshkruante si një mbështetje të fortë dhe të qetë. Ai ndërroi jetë në mars të vitit 2025, në moshën 82-vjeçare. Humbja e tij ishte e rëndë për Parton. Ajo pranoi se pas vdekjes së bashkëshortit nuk ishte kujdesur sa duhet për veten dhe se kishte lënë pas dore disa probleme shëndetësore. Në nder të tij publikoi këngën “If You Hadn’t Been There”, një dedikim për burrin me të cilin ndau pjesën më të madhe të jetës.
Një trashëgimi që shkon përtej muzikës
Dolly Parton ishte shumë më tepër se një këngëtare country. Ishte kompozitore, aktore, biznesmene, autore dhe filantrope. Por mbi të gjitha, ajo arriti të ndërtonte një imazh të rrallë në kulturën amerikane: një superyll që mund të ishte njëkohësisht jashtëzakonisht e famshme dhe jashtëzakonisht e afërt me njerëzit. Nga “Coat of Many Colors” te “Jolene”, nga “9 to 5” te “I Will Always Love You”, këngët e saj u bënë pjesë e kujtesës kolektive amerikane. Dhe përtej këngëve, miliona fëmijë që morën libra falas, komunitetet që përfituan nga programet e saj dhe njerëzit që u ndihmuan nga fondacionet e saj janë pjesë e një trashëgimie që nuk matet vetëm me çmime, albume apo rekorde. Dolly Parton la pas një histori të jashtëzakonshme: nga një vajzë e varfër e rritur në një familje me 12 fëmijë, në një ikonë botërore që arriti ta kthente suksesin personal në mundësi për miliona të tjerë. Muzika e saj do të vazhdojë të dëgjohet. Por ndoshta trashëgimia e saj më e madhe do të jetë ajo që bëri me famën pasi e fitoi.
