Rënie e Kredive me Kolateral Obligacione Për Tretin Vit

## Përdorimi i obligacioneve si kolateral për kredi, në rënie për të tretin vit radhazi

Përdorimi i instrumenteve të borxhit të qeverisë si kolateral për kredi bankare ka shënuar një rënie për të tretin vit radhazi. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se vlera e letrave me vlerë të borxhit qeveritar të vendosura si kolateral për kredi bankare ka zbritur në 91 milionë lekë, duke shënuar një rënie prej 56% krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë.

Në aspektin numerik, titujt e qeverisë u përdorën si kolateral në 18 raste, shifër kjo 25% më e ulët se një vit më parë. Përdorimi i kufizuar i titujve të borxhit si kolateral për kredi këtë vit është përqendruar kryesisht te individët.

Sipas llojit, përgjithësisht titujt e vendosur si kolateral janë obligacionet, për shkak të afateve të tyre më të gjata maturimi, ndërsa bonot e thesarit përdoren në raste të rralla. Nga 18 transaksione të lidhura me vendosjen e titujve si kolateral gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, 16 prej tyre kanë përfshirë obligacione dhe vetëm dy bonot.

Të dhënat e AMF-së sqarojnë se këtë vit, vetëm dy banka tregtare, duke vepruar si shoqëri komisionere, kanë pranuar titujt e qeverisë si kolateral për transaksionet e tyre. Këto banka janë Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank).

Titujt qeveritarë mund të ofrojnë avantazhe ndaj llojeve të tjera të kolateralit të përdorur gjerësisht, kryesisht pasuritë e paluajtshme, si për huadhënësin, ashtu edhe për huamarrësin. Instrumentet financiare janë më likuide dhe më të lehta për t’u vlerësuar në krahasim me tipat e tjerë të pasurive. Procedurat e ekzekutimit, në rastet e mosshlyerjes së detyrimeve, janë më të shpejta dhe me kosto më të ulët në krahasim me format e tjera të kolateraleve apo garancive të ofruara. Në përgjithësi, kjo reflektohet në një rrezik më të ulët dhe një normë interesi më të vogël për kreditë e siguruara me bono thesari dhe obligacione.

Megjithatë, duket qartë se ky lloj kolaterali përdoret pak. Arsyeja lidhet me njohjen e kufizuar të tij si alternativë nga huamarrësit, si dhe me disa probleme që hasin bankat në sigurimin e kredive me këto instrumente. Një nga këto probleme ka të bëjë me vlerën e tregut të titullit të ofruar si kolateral. Nëse në momentin e ekzekutimit vlera e tregut ka rënë nën vlerën e detyrimit të klientit ndaj bankës, një pjesë e detyrimit mund të mbetet e pambuluar.

Për të shmangur këtë situatë, përveç mbajtjes së një koeficienti mbulimi pak më të lartë se vlera e kredisë, bankat kryejnë kontrolle periodike të vlerave të tregut të kolateraleve. Në rastin kur konstatohet se vlera e kolateralit ka rënë nën limitin e lejuar, banka ka të drejtë të kërkojë nga klienti shtimin e vlerës së tij.

Sipas bankierëve, çështje të tjera që kërkojnë përmirësime dhe qartësime përfshijnë mundësinë e regjistrimit të bllokimit të titullit në favor të bankës në regjistrin e titujve.

Scroll to Top