Zhdukja misterioze në det: Spanjo ll 66-vjeçar humb jetën

Misteri i jahtit në Detin Jon: 66-vjeçari spanjoll u zhduk pas rënies në det, djali jep detaje tronditëse

Zhdukja e Juan José Mutilba, një shtetas spanjoll 66-vjeçar, i cili dyshohet se ra në det nga varka me vela me të cilën po udhëtonte drejt Pylos, vijon të mbetet një mister. Familja e tij kërkon sqarime, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Çifti ishte nisur nga Siçilia për në Greqi dhe, sipas informacioneve të familjes, incidenti ndodhi më 18 gusht, rreth 150 milje detare nga destinacioni. Mutilba po peshkonte kur, sipas versionit të dhënë nga djali i tij, ra në det.

Djali i 66-vjeçarit tregoi për mediat greke se babai i tij kishte kapur një ton dhe po përpiqej të pastronte gjakun e peshkut kur humbi ekuilibrin dhe përfundoi në ujë. “Nëna ime, për shkak të shokut, nuk dinte si të reagonte. Brenda 30 sekondash babai im u zhduk,” rrëfeu ai.

Sipas djalit, bashkëshortja e Mutilbës arriti të regjistronte koordinatat e sakta të vendit ku ai ra në det dhe tentoi të dërgonte një sinjal SOS përmes radios. Megjithatë, familja dyshon se radioja mund të mos ketë funksionuar siç duhet ose se procedura e emergjencës nuk është ndjekur në mënyrën e duhur.

Situata u komplikua më tej kur varka mbeti pa karburant. Gruaja, e cila sipas djalit nuk kishte njohuri mbi mekanikën e mjetit, përdori velat për të ulur shpejtësinë dhe për të mbajtur varkën nën kontroll. Ajo qëndroi në det për disa ditë, duke u përballur edhe me probleme komunikimi, para se të arrinte të kontaktonte autoritetet.

“Babai im kishte 35 vjet përvojë në det”

Familja thekson se Juan José Mutilba nuk ishte i panjohur me detin. Djali i tij shprehet se 66-vjeçari kishte më shumë se 35 vite përvojë lundrimi, ndërsa bashkëshortja e tij kishte shumë më pak eksperiencë në drejtimin e varkës.

Hetimet janë përqendruar në ngjarjet e çastit pas rënies së 66-vjeçarit në det, ndërsa familja vazhdon të shpresojë për një zhvillim në kërkimet për të. Koordinatat e regjistruara nga gruaja mbeten një nga elementët kryesorë për të përcaktuar vendin ku Juan José Mutilba u pa për herë të fundit.

Scroll to Top