CIA në Moskë: Bisedime për tensionet Ukrainë-Lindje e Mesme

Misioni sekret i kreut të CIA-s në Moskë: Ratcliffe zhvilloi bisedime urgjente me inteligjencën ruse, zbulohen prapaskenat e udhëtimit të papritur

Vizita e papritur dhe e paparalajmëruar e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë ka nxitur shumë spekulime rreth mesazhit delikat që Uashingtoni konsideroi të nevojshëm t’ia përcillte personalisht zyrtarëve më të lartë rusë.

Gjatë qëndrimit disaorësh të Ratcliffe në kryeqytetin rus, Shtetet e Bashkuara i kërkuan zyrtarisht Ukrainës të mos ndërmerrte sulme ndaj Moskës apo Shën Petersburgut. Kievi ishte njoftuar paraprakisht për ardhjen e një delegacioni të lartë amerikan, por pa u sqaruar fillimisht prania e vetë kreut të inteligjencës amerikane.

Udhëtimi vjen në një moment shumë kritik, mes shqetësimeve në rritje të inteligjencës perëndimore se Moska po përgatit mobilizim të mëtejshëm ushtarak, si dhe provokime apo akte sabotazhi në territorin e vendeve të NATO-s.

Kjo ngjarje ngre një paralele me nëntorin e vitit 2021, kur ish-drejtori i CIA-s, William Burns, udhëtoi në Moskë për të paralajmëruar drejtpërdrejt Kremlinin kundër nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Ratcliffe zhvilloi bisedime me krerët e inteligjencës ruse dhe se Presidenti Vladimir Putin u informua mbi rezultatin e diskutimeve, megjithëse një takim direkt mes tyre nuk u zhvillua. Peskov i cilësoi kontaktet si pozitive, por shtoi se është ende herët për të gjykuar mbi përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Përveç luftës në Ukrainë dhe ndihmës ushtarake amerikane, një tjetër pikë e nxehtë e bisedimeve dyshohet të jetë Lindja e Mesme. Uashingtoni ka ngritur shqetësime se Rusia po i ofron Teherit të dhëna inteligjence mbi asetet ushtarake amerikane, në një kohë kur SHBA-ja ka rritur presionin ndaj Iranit.

Vizita delikate e Ratcliffe shërbeu si një kanal direkt komunikimi në një nga periudhat më të tensionuara gjeopolitike.

Scroll to Top