Tender 5M€ OST: Linja e re elektrike Sarandë–Xarrë

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) shpall tender për linjën e re 110 kV Sarandë–Xarrë me vlerë rreth 5 milionë euro.

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) planifikon të ndërtojë një linjë të re elektrike me tension 110 kV në jug të vendit. Të enjten, operatori njoftoi procedurën e tenderit, e cila ka një fond limit prej 497.59 milionë lekësh, ose rreth 5 milionë euro. Investimi ka në fokus ndërtimin e kësaj linje dhe të infrastrukturës përkatëse në nënstacionin e Sarandës.

Projekti parashikon ndërtimin e një linje me shtylla dopio qark, por me përcjellës të instaluar fillimisht vetëm në një qark. Sipas specifikimeve teknike, si linja ashtu edhe traseja e saj do të jenë të reja. Në segmentin ajror do të përdoret përcjellësi ACSR 240/40 mm², ndërsa mbrojtja nga rrufeja dhe komunikimi do të realizohen me përcjellës optik OPGW.

Segmenti ajror i linjës pritet të shtrihet për rreth 20 kilometra në jug të Shqipërisë, në zonën mes Sarandës dhe Konispolit. Dokumentet e tenderit përshkruajnë terrenin si kodrinor, shkëmbor dhe fushor. Traseja e paraqitur në dokumentacion është paraprake dhe kontraktori fitues do të duhet të kryejë rilevimin përfundimtar topografik përpara miratimit të projektit final.

Hyrja e linjës në nënstacionin e Sarandës është parashikuar të realizohet nëntokë, duke përdorur kabllo XLPE me bazë alumini dhe seksion 1,000 mm². Kontrata përfshin gjithashtu ndërtimin e traktit të ri të linjës në nënstacion dhe hyrjen kabllore 110 kV.

Në nënstacionin e Sarandës, projekti përfshin një trakt të tretë dalës 110 kV, me pajisje të reja të tensionit të lartë. Këto pajisje përfshijnë çelësin 110 kV, ndarësit, transformatorët e rrymës dhe tensionit, terminalet, si dhe panelet e komandimit dhe mbrojtjes.

Procedura e tenderit është konceptuar si një kontratë “me çelësa në dorë”. Kompania fituese do të jetë përgjegjëse për projektimin, prodhimin dhe furnizimin e pajisjeve, instalimin, testimet dhe komisionimin e linjës dhe impianteve përkatëse.

Ky tender synon të zgjerojë infrastrukturën 110 kV të OST në zonën Sarandë–Xarrë. Megjithëse konfigurimi me shtylla dopio qark parashikohet që në fazën e ndërtimit, në këtë kontratë do të montohet vetëm një qark.

Scroll to Top