Dy të vrarë në një sulm në shkollë private në Gjermani
Dy persona kanë humbur jetën në një sulm që ndodhi më herët gjatë ditës në një shkollë private në lagjen Gosen-Neu Zittau, në Brandenburg të Gjermanisë.
Sipas mediave lokale, viktimat janë një studente 18-vjeçare dhe një burrë 30-vjeçar. Autori i dyshuar i sulmit, një 19-vjeçar, është arrestuar nga policia. Ai dyshohet të ketë qenë ish-i dashuri i 18-vjeçares.
Në vendngjarje është zhvilluar një operacion i gjerë policor. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit. Detaje të tjera rreth ngjarjes dhe nëse ka pasur persona të tjerë të plagosur nuk janë bërë ende të ditura.
