Pagesat me kartë u rritën me 28% në gjysmën e parë të vitit
Pagesat me kartë kanë shënuar një rritje të ndjeshme edhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në periudhën janar-qershor janë kryer gjithsej 16 milionë pagesa me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS). Ky numër përfaqëson një rritje prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tashmë, pagesat me kartë në POS-e kanë tejkaluar në mënyrë të qëndrueshme numrin e tërheqjeve të parave në bankomate. Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (përjashtuar veprimet me para elektronike), rreth 56 kanë qenë pagesa në terminale POS, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë tërheqje ose depozitime paraje kash.
Vlera totale e pagesave me kartë gjatë gjashtë muajve të parë të vitit arriti në 58.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 21% krahasuar me periudhën e mëparshme. Në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënë 18.3% të totalit të veprimeve me karta, duke u rritur nga 17.4% që ishte në vitin e kaluar.
Duke marrë parasysh se muajt korrik-gusht, periudhë e pikut turistik, zakonisht shoqërohen me rritje të pagesave me kartë, pritet që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.
Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është një nga faktorët kryesorë që ka nxitur rritjen e pagesave me kartë në Shqipëri. Megjithatë, shtimi i numrit të bizneseve që pranojnë pagesa me kartë ka kontribuar gjithashtu ndjeshëm në rritjen e përdorimit të tyre nga konsumatorët vendas.
Shqipëria vazhdon të jetë një vend me përdorim të lartë të parasë kash. Kjo situatë lidhet me përfshirjen ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal. Vlerësohet se rreth 40% e monedhës lokale në qarkullim gjendet jashtë sistemit bankar, duke mos përfshirë këtu valutat e huaja, për të cilat nuk disponohen statistika zyrtare.
Megjithatë, rritja e shpejtë e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv, duke treguar një tendencë, edhe nëse graduale, drejt zhvendosjes drejt formave alternative të pagesave. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e vitit 2026 numri i kartave aktive arriti në 1.69 milionë, duke u rritur me 7% krahasuar me një vit më parë. Shumica dërrmuese e këtyre kartave janë karta debi, të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve dhe bizneseve, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga karta krediti ose karta me funksion paraje elektronike.
