Karma ekziston! I riu në Britani i vë zjarrin 2 makinave, por përfshihet edhe vetë nga flakët, e pëson rëndë!
Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në Berkshire të Anglisë, ku një 32-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies në dy automjete, pothuajse humbi jetën nga flakët që ai vetë kishte shkaktuar.
Krzysztof Orzechowski dyshohet se i kishte vënë zjarrin dy automjeteve të parkuara pranë një banese familjare në Berkshire, duke shkaktuar një zjarr që shkaktoi dëme të konsiderueshme edhe në shtëpi. Gjatë aktit, situata doli jashtë kontrollit dhe flakët u përhapën edhe tek ai.
Pamjet e regjistruara tregojnë 32-vjeçarin teksa, pak sekonda pasi kishte filluar zjarri, përpiqet të largohet ndërsa trupi i tij ishte përfshirë nga flakët.
Gjashtë ditë më vonë, policia identifikoi një automjet të lidhur me Orzechowskin dhe tentoi ta ndalonte. 32-vjeçari, i cili ishte duke drejtuar mjetin, nuk iu bind urdhrit të policisë dhe nisi një ndjekje në rrugët rurale. Sipas Policisë së Luginës së Thames, ai arriti shpejtësi deri në 160 km/orë, duke kryer manovra të rrezikshme dhe parakalime.
Ndjekja përfundoi kur Orzechowski humbi kontrollin në një kthesë dhe u përplas. Pavarësisht aksidentit, ai nuk pësoi lëndime serioze dhe u arrestua nga efektivët.
Pas procesit penal, 32-vjeçari u shpall fajtor dhe u dënua me 5 vjet e 7 muaj burg për zjarrvënien ndaj dy automjeteve dhe dëmet e rënda të shkaktuara.
