Ish-presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, është shpallur fajtor për korrupsion.
Një gjykatë në Ekuador ka shpallur të premten fajtor ish-presidentin Lenin Moreno (mandati 2017–2021) për marrje ryshfeti nga një kompani kineze ndërtimi, në këmbim të përfitimit të një kontrate publike për ndërtimin e një hidrocentrali.
Prokuroria ka bërë të ditur se në këtë çështje, e cila lidhet me kompaninë kineze Sinohydro, janë shpallur fajtorë katër persona, përfshirë edhe Moreno. Veprat penale dyshohet se janë kryer gjatë periudhës 2007–2013, kur Moreno mbante postin e zëvendëspresidentit në qeverisjen e Rafael Correa.
Gjykata ende nuk ka përcaktuar dënimin për ish-presidentin. Prokuroria ka kërkuar që ai të dënohet me 6 vjet e 6 muaj burg.
Sipas akuzës, Moreno ka qenë pjesë e një rrjeti korrupsioni që veproi nga viti 2009 deri në vitin 2018, i cili lidhej me dhënien e kontratës për ndërtimin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair, një prej projekteve më të mëdha energjetike të Ekuadorit.
Moreno, 73 vjeç, i cili lëviz me karrige me rrota, ka mohuar vazhdimisht akuzat. Ai pretendon se çështja është pjesë e një persekutimi politik të orkestruar nga ish-presidenti Rafael Correa.
Rreth 20 persona të tjerë janë përfshirë në hetim, duke përfshirë bashkëshorten dhe vajzën e Morenos, drejtues biznesesh, si dhe një ish-ambasador kinez në Quito.
Pas shpalljes së vendimit, ish-presidenti ka përsëritur se nuk kishte marrë “asnjë qindarkë nga Sinohydro”. Kompania kineze akuzohet se ka paguar rreth 76 milionë dollarë ryshfet për të siguruar kontrata në Ekuador.
