“Po ndërhyjnë edhe tek ushqimi”/ Tedi Blushi ankohet për burgun “313”: Nuk më lejojnë të takoj Ilir Metën
Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, ka bërë një denoncim të ri lidhur me izolimin e ish-presidentit Ilir Meta në paraburgimin “313” pranë institucionit “Jordan Misja” në Tiranë. Nga jashtë burgut, Blushi deklaroi se nuk i është lejuar takimi me Metën, pavarësisht se ligji dhe autorizimi i SPAK-ut e mundësojnë këtë.
Sipas Blushit, Metës i janë kufizuar takimet në vetëm katër në muaj dhe vetëm me familjarë. Ai pretendoi se, pas izolimit, po cenohet edhe ushqimi që i dërgohet Metës, duke e cilësuar situatën si një “persekutim politik çnjerëzor”, për të cilin akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
“Dua të denoncoj sot sërish shkeljen flagrante të ligjit, të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të rekomandimeve shumë të qarta të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kjo drejtori, në mënyrë të përsëritur dhe pa asnjë shkak ligjor, i ka pamundësuar Z. Meta takimin e tij me deputetët.
Ligji e lejon një deputet të hyjë në ambientet e IEVP-së “Jordan Misja” dhe në të gjitha IEVP-të e tjera edhe pa autorizim nga Prokuroria. Megjithatë, unë, në cilësinë e deputetit të Partisë së Lirisë, edhe pse posedoj një autorizim nga SPAK, për të disatën herë, pa asnjë argument ligjor, jam penguar të takohem me Z. Meta.
Rikthimi i masave ekstreme të izolimit të Presidentit të Partisë së Lirisë nuk është një rast i izoluar; është një praktikë që po përsëritet, thjesht dhe vetëm për shkak se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë refuzojnë me dashje jo vetëm të zbatojnë ligjin, Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, por edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Kjo situatë, prej një jave, po ndodh pa asnjë argument ligjor, pa asnjë shkresë apo informacion zyrtar drejtuar meje apo deputetëve të tjerë të Partisë së Lirisë. Në mënyrë jozyrtare, verbale, jemi informuar se ka dalë një urdhër nga lart që Z. Meta nuk duhet të takohet më me asnjë deputet dhe se ai ka vetëm katër takime në muaj, dhe këto vetëm me familjarë. Ndërkohë, siç qartësisht konfirmohet nga raporti i Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, deputetët kanë të drejtë të pakufizuar të takohen me çdo të paraburgosur.
Është e qartë që rikthimi i masave ekstreme të izolimit të Presidentit të Partisë së Lirisë është një urdhër i drejtpërdrejtë i Edi Ramës. Pasi ka censuruar, bunkerizuar dhe vendosur errësirë totale mbi procesin gjyqësor të Z. Meta përmes gjyqtarëve, ai i është rikthyer masave represive, këtij ndëshkimi dhe persekutimi të ashpër politik ndaj një prej liderëve kryesorë të opozitës.
Dua të rikujtoj se rikthimi i masave izoluese dhe i këtij persekutimi politik ndaj Z. Meta ndodhi pikërisht pak ditë pas publikimit të letrës së tij drejtuar Ministrit të Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe SPAK-ut, ku ai denonconte përgjimin dhe monitorimin nga kamerat të komunikimeve konfidenciale me avokatët e tij, gjë që cënonte mbrojtjen efektive.
E gjithë kjo maskaradë, ky proces kriminal, ky izolim pa asnjë mbështetje ligjore, kushtetuese apo në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, ndodh vetëm për t’i pamundësuar Z. Meta mbrojtjen e tij efektive, edhe në Gjykatën e Strasburgut.
Përsëris thirrjen time drejtuar Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për t’i dhënë fund kësaj sjelljeje kriminale dhe këtij persekutimi politik të pashembullt. Standardet e paraburgimit të tij janë identike me standardet e rrëmbimit, të hetimit dhe procesit gjyqësor, të cilat, në vend që të jenë publike, janë bunkerizuar.
Ky rikthim i masave të egra të izolimit, ky persekucion politik, i cili ndodh pak ditë pas përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Regjimeve Totalitare, ka një autor dhe ai është Edi Rama.
I bëj thirrje Trupit Diplomatik, të gjitha Ambasadave të akredituara në Tiranë, Departamentit të Drejtësisë në SHBA, Komisionit kundër Torturës të Këshillit të Europës, si dhe organizatave që monitorojnë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, të reagojnë fuqishëm ndaj këtij rasti. Ky nuk është një rast i izoluar; kemi të bëjmë me një rast flagrant të mënyrës se si persekutohen kundërshtarët politikë të Edi Ramës.
Edhe kundërshtarët më të ashpër të Vladimir Putinit në Rusi lejoheshin të jepnin intervista për mediat. Z. Meta jo vetëm i pamundësohet kjo e drejtë dhe i mohohen të drejtat politike, por tani i mohohen edhe takimet me deputetët. Akoma më rëndë, po ndërhyhet edhe tek ushqimi i tij, çka ngre dyshime serioze për sigurinë e tij brenda ambienteve të IEVP-së, një institucion ku më lehtë hyn droga sesa respektohen ligji, Kushtetuta dhe Konventa Europiane.
Është e qartë se me urdhër politik të drejtpërdrejtë të Edi Ramës, i cili, bashkë me Charls Mckonigalin, ideuan dhe urdhëruan rrëmbimin e Z. Meta në 21 tetor 2024, po udhëhiqet ky proces farsë hetimor dhe gjyqësor. Një proces i cili, për shkak të cilësisë së tij skandaloze dhe mungesës së provave, bunkerizohet hermetikisht.
Ky izolim ekstrem, ky persekucion politik, ndodh për shkak se Partia e Lirisë, si një forcë e opozitës, gjithmonë është persekutuar, shantazhuar dhe kërcënuar nga ky regjim, i cili, pasi rrëmbeu liderin e saj, prej gati dy vitesh e mban në izolim ekstrem pa asnjë provë penale.
Përsëris thirrjen time drejtuar të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve përgjegjëse të reagojnë me forcë ndaj këtij persekutimi kriminal ndaj një prej kundërshtarëve më të vendosur të këtij regjimi dhe liderit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.”
