Anketa e Bankës Botërore: Korrupsioni, pengesa kryesore për reformat në Shqipëri, problem edhe për biznesin
Korrupsioni vazhdon të jetë pengesa kryesore që ngadalëson ose pengon reformat ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Për zhvillimin e sektorit privat, krahas korrupsionit, shqetësimi më i madh është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Ky është një nga konkluzionet kryesore të raportit të fundit të Bankës Botërore, “FY 2026 Albania Country Opinion Survey Report”. Raporti paraqet pikëpamjet e aktorëve të ndryshëm në Shqipëri mbi sfidat e zhvillimit dhe rolin e Grupit të Bankës Botërore në vend.
Anketa përfshiu 219 përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile, të cilët u pyetën në pranverë të këtij viti. Sipas anketës, 56% e të pyeturve e rendisin korrupsionin ndër faktorët kryesorë që kontribuojnë në dështimin ose ngadalësimin e reformave ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Diferenca me pengesat e tjera është e konsiderueshme. Në vend të dytë renditet kapaciteti i pamjaftueshëm i qeverisë, i përmendur nga 35% e të anketuarve, ndërsa 34% evidentojnë si problem mungesën e llogaridhënies së qeverisë dhe 33% presionet dhe pengesat politike. Më tej, 26% e të anketuarve e lidhin ngadalësinë e reformave me pjesëmarrjen e pamjaftueshme të qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa 25% vlerësojnë se reformat nuk janë konceptuar siç duhet në raport me problemet konkrete të vendit.
Mungesa e punonjësve të kualifikuar dhe korrupsioni, problemet kryesore të biznesit
Rezultatet tregojnë se korrupsioni nuk shihet vetëm si pengesë për reformat, por edhe si një nga problemet kryesore për zhvillimin e sektorit privat. Kur u pyetën për sfidat më të mëdha që përballojnë bizneset në Shqipëri, 52% e të anketuarve evidentuan mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe po kaq, 52%, evidentuan korrupsionin. Problemi i tretë më i përmendur është mjedisi rregullator, me 47%, ndërsa 39% evidentojnë vështirësitë në aksesin në financim. Madhësia e tregut dhe kërkesa përbëjnë problem sipas 29% të të anketuarve, ndërsa 19% përmendin paqëndrueshmërinë politike dhe 18% mangësitë në infrastrukturë, përfshirë energjinë dhe transportin. Këto gjetje nxjerrin në pah probleme institucionale, të lidhura me korrupsionin, dhe një kufizim gjithnjë e më të madh nga kapitali njerëzor, pasi bizneset hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve me aftësitë e kërkuara.
Bujqësia dhe arsimi shihen si prioritetet kryesore të zhvillimit
Anketa e Bankës Botërore ka pyetur gjithashtu aktorët se në cilat fusha institucioni duhet të përqendrohet për të pasur ndikimin më të madh në zhvillimin e Shqipërisë. Bujqësia dhe siguria ushqimore renditen të parat, të përzgjedhura nga 49% e të anketuarve, të ndjekura shumë pranë nga arsimi, me 47%. Shëndetësia është prioritet për 36% të të pyeturve, vendet e punës për 34% dhe zhvillimi i infrastrukturës digjitale për 32%. Infrastruktura e transportit dhe menaxhimi i mjedisit dhe burimeve natyrore marrin nga 29%, ndërsa zhvillimi i sektorit privat përzgjidhet nga 28%.
Turizmi shihet me potencialin më të madh për vende të reja pune
Një tjetër konkluzion i anketës lidhet me sektorët që kanë potencialin më të madh për të gjeneruar punësim. Turizmi është sektori më i përmendur për krijimin e vendeve të reja të punës, por të anketuarit theksojnë nevojën për të reduktuar varësinë nga turizmi masiv i verës dhe për të diversifikuar ofertën drejt agroturizmit, turizmit kulturor, historik dhe atij të aventurës, në mënyrë që sektori të sigurojë punësim gjatë gjithë vitit. Pas turizmit renditen bujqësia dhe agro-përpunimi, me fokus te aktivitetet me vlerë të shtuar, si përpunimi, eksportet organike, magazinimi frigoriferik dhe paketimi. Teknologjia e informacionit dhe shërbimet dixhitale konsiderohen gjithashtu sektorë me potencial për punësim të kualifikuar dhe rritje të orientuar drejt eksporteve. Energjia e rinovueshme, infrastruktura e gjelbër, ndërtimi, infrastruktura dhe industria e lehtë përmenden gjithashtu si fusha që mund të krijojnë vende pune, veçanërisht jashtë Tiranës.
Reformat mbeten teorike
Anketa tregoi se një nga kërkesat më të shpeshta drejtuar Bankës Botërore ishte që të fokusohej më shumë te zbatimi dhe rezultatet e matshme, pasi të anketuarit e shohin hendekun kryesor jo te projektimi i politikave, por te kthimi i reformave në rezultate konkrete. Të anketuarit kërkojnë gjithashtu forcimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore, më shumë asistencë teknike afatgjatë dhe angazhim më të gjerë me sektorin privat, pushtetin vendor, shoqërinë civile dhe universitetet. Raporti rekomandon, mbi bazën e këtyre përgjigjeve, që financimi të lidhet më shumë me tregues të matshëm, si përmirësimi i shërbimeve, reduktimi i kohës së procedurave dhe krijimi i vendeve të punës.
