Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln arrin në Tajlandë pas 250 ditësh

Aeroplanmbajtësja amerikane me energji bërthamore USS Abraham Lincoln ka mbërritur në Tajlandë, duke u ankoruar pranë qytetit bregdetar të Pattayas. Ky mbërritje vjen pas një periudhe rekord prej 250 ditësh në det pa ndalesë në port.

Rreth 5,000 anëtarë të ekuipazhit do të kenë mundësinë të pushojnë në Tajlandë, pas një periudhe të gjatë angazhimi ushtarak. Anija ishte nisur nga San Diego në nëntor të vitit të kaluar për një mision disa-mujor në Paqësor dhe Detin e Kinës Jugore. Më pas, ajo u devijua drejt Gjirit Persik, pas nisjes së operacioneve ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit në fund të shkurtit.

Mbërritja e anijes shihet si një mundësi për bizneset e Pattayas, të cilat janë prekur nga rënia e turizmit dhe e shpenzimeve për shkak të zhvillimeve në rajon. Tregtarët dhe bizneset lokale shpresojnë që mijëra marinarë amerikanë të kontribuojnë në rikthimin e aktivitetit ekonomik në zonat turistike të qytetit.

Pattaya ka një histori të lidhur ngushtë me praninë e trupave amerikane gjatë Luftës së Vietnamit, periudhë gjatë së cilës qyteti u transformua nga një fshat peshkatarësh në një destinacion të njohur turistik dhe të jetës së natës.

Autoritetet tajlandeze kanë vendosur masa të veçanta sigurie për vizitën. Disa zona, përfshirë Soi6, e njohur për baret e natës, janë jashtë kufijve për personelin amerikan. Gjithashtu, ushtarëve u është ndaluar përdorimi i dyqaneve të kanabisit dhe aktiviteteve të caktuara sportive, si jet-ski dhe paragliding.

Marina amerikane ka organizuar autobusë transporti mes portit dhe Pattayas, ndërsa autoritetet tajlandeze kanë angazhuar qindra efektivë policie në zonat e frekuentuara nga turistët.

Shtetet e Bashkuara dhe Tajlanda janë aleatë të traktatit, ndaj vizitat e anijeve amerikane në vend janë të zakonshme. Megjithatë, kjo konsiderohet si një nga prurjet më të mëdha të personelit ushtarak amerikan në Pattaya nga një zonë lufte që prej përfundimit të Luftës së Vietnamit.

USS Abraham Lincoln pritet të nisë udhëtimin e kthimit drejt Shteteve të Bashkuara më 6 shtator, me synimin që ekuipazhi të rikthehet i çlodhur pas muajsh të gjatë në det.

Scroll to Top