“`html
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkarkon nga detyra nënkryetarin Blendi Sulaj.
TIRANË – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur shkarkimin nga detyra të nënkryetarit Blendi Sulaj. Sulaj ishte emëruar në detyrë pas arrestimit të kryebashkiakut dhe kompetencat e tij i janë kaluar Ristanit. Kjo lëvizje vjen pas raportimeve të fundit në media, ku Veliaj u kishte lënë kohë nënkryetarëve të dorëhiqeshin vullnetarisht. Duke u përballur me refuzimin e tyre, Veliaj ka nisur procesin e shkarkimeve.
Dy nënkryetarë të tjerë që pritet të largohen nga pozicionet e tyre janë Ilir Mengra dhe Gentian Këri, të cilëve, ashtu si Blendi Sulaj, Erion Veliaj u ka kërkuar të paraqesin dorëheqjen. E vetmja nënkryetare që do të vijojë të mbajë pozicionin në Bashkinë e Tiranës është Vasilika Vjero.
Ndryshimet pritet të shtrihen edhe në nivele më të ulëta të administratës. Veliaj, edhe pse ndodhet në një situatë të pazakontë për një kryebashkiak, ka kërkuar largimin nga detyrat e tyre edhe të drejtorëve Erion Çaka, Daniel Demiri dhe Berta Piro. Të tre konsiderohen zyrtarë të afruar në Bashkinë e Tiranës gjatë periudhës së re të drejtimit të institucionit dhe lidhen politikisht me ish-zv/kryeministren Belinda Balluku. Ata mbajnë pozicione kyçe në administratën e kryeqytetit:
- Erion Çaka: Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë Juridike, Aseteve dhe Licencimit.
- Daniel Demiri: Drejtor Kabineti.
- Berta Piro: Drejtoreshë e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar.
Ligji parashikon qartë që në rast se kryetari nuk mund të ushtrojë kompetencat e tij, ato delegohen te një prej nënkryetarëve. Në kushtet kur Veliaj mund të zgjedhë emra të besuar, është e mundur që detyrat t’i delegohen një personi tjetër, siç ndodhi në rastin e Ristanit.
Zyrtarët e prekur nga këto ndryshime në Bashkinë e Tiranës, mësohet se kanë kërkuar një takim me kryeministrin Edi Rama. Kryeministri ka zgjedhur heshtjen, ndërsa publikisht, qeveria ka dalë me një deklaratë ku legjitimohej shkarkimi i Ristanit nga Veliaj. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministria ka theksuar se është në kompetencë të Veliajt të delegojë apo jo pushtetin.
Këto lëvizje në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që Veliaj ndodhet në paraburgim, vijnë në një kohë kur më 15 shtator, Gjykata e Lartë do të shprehet mbi masën e arrestit të tij. Kryebashkiaku pret të lirohet pas 19 muajsh qëndrimi pas hekurave.
“`
