“`html
Tatimet sqarojnë kompensimin 10% për fermerët: afatet, faturat dhe pagesa
Administrata Tatimore ka sqaruar procedurat që duhet të ndjekin fermerët për të përfituar kompensimin 10% për produktet bujqësore. Ky sqarim përfshin kushtet e shitjes, dokumentimin me autofaturë, aplikimin në e-Filing dhe afatet e pagesës. Për furnizimet e periudhës janar–qershor 2026, kërkesat mund të paraqiten deri më 31 dhjetor, ndërsa kompensimi do të kalojë në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve pas verifikimeve përkatëse.
Kujt duhet t’ia shesni produktet për të përfituar kompensimin?
Nëse jeni një fermer i regjistruar në DRT me NIPT dhe certifikatë të lëshuar nga Administrata Tatimore, produktet bujqësore duhet t’ia shisni një personi të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore, ose si agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.
Si bëhet aplikimi dhe cilat janë afatet?
Gjatë procesit të aplikimit online në e-Filing nuk është e nevojshme të ngarkoni faturat (autofaturat). Vetëm në rast se kërkohet nga Administrata Tatimore, mund të bashkëngjitni dokumente shtesë. Për udhëzime më të hollësishme, ju lutemi t’u referoheni udhëzuesve të publikuar nga Administrata Tatimore në faqen zyrtare të internetit, rrjetet sociale dhe kanalin zyrtar në YouTube.
Për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor 2026, fermerët mund të aplikojnë nga data 1 korrik deri më 31 dhjetor 2026.
Për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor 2026, fermerët mund të paraqesin kërkesën për kompensim nga data 1 janar 2027 deri më 30 qershor 2027.
Çfarë ndodh nëse blerësi nuk lëshon autofaturë?
Për të përfituar kompensimin në masën 10% për produktet bujqësore, transaksioni duhet të jetë i dokumentuar me faturë tatimore (autofaturë). Administrata Tatimore inkurajon përdorimin e aplikacionit “Denonco Evazionin” për të raportuar çdo rast të shkeljeve tatimore, duke premtuar trajtim profesional, paanshmëri dhe tolerancë zero ndaj shkeljeve.
Si trajtohen faturat që nuk shfaqen në sistem?
Mosshfaqja e disa faturave në sistem nuk ju bën të humbni të drejtën për të përfituar kompensimin, nëse plotësoni kushtet e përcaktuara nga legjislacioni. Nëse keni aplikuar përpara datës 10 të muajit pasardhës, faturat e muajit qershor 2026 mund të mos jenë shfaqur ende në sistem, pasi librat e blerjes transferohen nga sistemi SelfCare në sistemin CATS pas datës 10 të çdo muaji. Në këtë rast, mund të aplikoni përsëri dhe faturat për mallrat e furnizuara do të shfaqen në sistem.
Si trajtohet ndryshimi në deklarimin e TVSH-së për subjektet eksportuese?
Blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët vendas nuk duhet të deklarohen me TVSH 6%, por si blerje të përjashtuara nga TVSH-ja (0%). Nëse në sistemin SelfCare ato shfaqen me TVSH 6%, kjo tregon një konfigurim të pasaktë të programit të faturimit, i cili duhet korrigjuar. Nëse këto blerje deklarohen me TVSH 6% edhe në e-Filing, vlera e kompensimit do të llogaritet gabim dhe kërkesa mund të refuzohet. Ky ndryshim nuk ndikon në procedurën që duhet të ndjekin fermerët, të cilët vijojnë të aplikojnë online në e-Filing, me kusht që produktet bujqësore t’i kenë furnizuar te grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar.
Si paguhet kompensimi i përfituar dhe brenda çfarë afati?
Kompensimi paguhet nga Administrata Tatimore drejtpërdrejt në llogarinë bankare të deklaruar nga prodhuesi bujqësor (emri i bankës dhe numri IBAN), brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Paguhet me kusht që të rezultojnë të përmbushura kërkesat dhe kushtet e përcaktuara në ligj dhe në udhëzim, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse.
“`
