Mars-korrik, shqiptarët shpenzuan 80 milionë euro më shumë për naftë, pavarësisht konsumit të njëjtë
Në teori, kur çmimi i karburantit rritet, drejtuesit e mjeteve priren të kufizojnë përdorimin e automjeteve. Megjithatë, në Shqipëri, kjo lidhje duket më e dobët. Mungesa e alternativave të zhvilluara të transportit publik, veçanërisht jashtë Tiranës dhe për lëvizjet ndërqytetëse, e bën përdorimin e makinës një nevojë të vështirë për t’u reduktuar, edhe kur çmimi i naftës rritet ndjeshëm. Shqipëria është i vetmi vend në Europë pa funksionimin e transportit hekurudhor.
Të dhënat e importeve për periudhën mars-korrik 2026 ilustrojnë këtë situatë. Gjatë pesë muajve, u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, vetëm 1.2% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur sasia ishte rreth 309.6 mijë tonë. Rënia e lehtë e importeve ishte kryesisht në prill dhe maj, kur sasitë e importuara ishin përkatësisht 14.3% dhe 7.3% më të ulëta se një vit më parë. Në mars, importet u rritën me 2.8%, ndërsa tendenca ndryshoi ndjeshëm në verë. Në qershor ato u shtuan me 4.6% dhe në korrik me 6.9%, të ndikuara nga rritja sezonale e lëvizjeve dhe fluksi turistik.
Ndërkohë që konsumi në sasi ndryshoi pak, fatura që paguan shqiptarët ishte dukshëm më e lartë. Sipas përllogaritjeve të bëra nga “Monitor”, duke supozuar se karburantet e importuara kanë kaluar për konsum në tregun vendas, për sasitë e importuara nga marsi deri në korrik janë shpenzuar rreth 71.3 miliardë lekë, bazuar në çmimin mesatar mujor të naftës në tregun vendas. Për të njëjtën sasi karburanti, nëse çmimi do të kishte mbetur në nivelin mesatar të vitit të kaluar prej rreth 175 lekësh për litër, fatura do të ishte rreth 63.7 miliardë lekë. Diferenca arrin në rreth 7.6 miliardë lekë, ose afërsisht 80 milionë euro më shumë, të paguara vetëm si pasojë e çmimit më të lartë të karburantit.
Efekti ishte më i ndjeshëm në muajt kur çmimi mesatar i naftës qëndroi në nivele të larta. Në mars, çmimi mesatar ishte 198.4 lekë për litër, në prill u rrit në 209.5 lekë, ndërsa në maj ishte 197.5 lekë. Qershori solli një lehtësim të përkohshëm, me mesataren që ra në 182.4 lekë, por në korrik çmimi u rrit sërish në 195.6 lekë për litër.
Vetëm në korrik, rreth 75.8 mijë tonë karburante të importuara korrespondojnë me rreth 90.2 milionë litra (1 ton llogaritet në rreth 1190 litra). Me çmimin mesatar prej 195.6 lekësh për litër, fatura llogaritet në rreth 17.6 miliardë lekë, kundrejt 15.8 miliardë lekëve që do të kushtonte e njëjta sasi me çmimin 175 lekë për litër. Në prill, kur çmimi mesatar arriti nivelin më të lartë të periudhës, prej 209.5 lekësh për litër, importet ranë ndjeshëm. Megjithatë, tkurrja e konsumit nuk ishte e mjaftueshme për të kompensuar shtrenjtimin. Për rreth 61.9 milionë litra të përllogaritura, fatura ishte rreth 13 miliardë lekë, mbi 2.1 miliardë lekë më shumë se me çmimin mesatar të vitit të kaluar.
Nafta më e shtrenjtë në rajon, pa masa lehtësuese efektive
Shqipëria ka naftën rreth 30% më të shtrenjtë se rajoni, kryesisht për shkak të ngarkesës fiskale. Pavarësisht kësaj, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka zbatuar një paketë më të kufizuar lehtësuese për të amortizuar shtrenjtimin e karburanteve. Disa vende fqinje kanë ndërhyrë drejtpërdrejt me ulje të akcizave, TVSH-së ose kufizim të marzheve të tregtimit.
- Kosova vendosi kufij maksimalë për marzhet e tregtimit të karburanteve.
- Maqedonia e Veriut ndërhyri me uljen e TVSH-së dhe të akcizave.
- Serbia uli akcizën e naftës.
- Mali i Zi ndërhyri po ashtu përmes uljes së akcizave.
Në Shqipëri, përveç ndërhyrjes përmes Bordit të Transparencës, u aplikua për një periudhë shumë të shkurtër edhe ulja me 20% e akcizës, vetëm kur çmimi i naftës kaloi nivelin 220 lekë për litër. Kjo masë u përdor vetëm në fillim të prillit, kur nafta arriti në 224 lekë për litër, ndërsa më pas çmimet u mbajtën nën pragun që aktivizonte uljen. Struktura e lartë e taksave vijon të mbajë një pjesë të konsiderueshme të çmimit final të karburantit. Akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja përbëjnë së bashku mbi 100 lekë për litër në çmimin e naftës, duke kufizuar hapësirën që rënia e çmimeve ndërkombëtare të transmetohet plotësisht te konsumatori.
Qeveria ka përfituar më së shumti nga kjo situatë deri tani, duke arkëtuar më shumë TVSH si rrjedhojë e çmimeve më të larta. Ndërkohë, shpenzimet e saj për lehtësuese kanë qenë vetëm 37 milionë lekë, edhe pse çmimi ka qenë për disa ditë mbi 220 lekë në prill, nivel mbi të cilin aktivizohej ulja me 20% e akcizës.
Burimi: Ministria e Financave, Bordi, vëzhgim tregu
