Banka e Shqipërisë: Transparencë më të lartë në tarifat valutore

Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime rregullatore për të përmirësuar transparencën në tarifat e këmbimit valutor të lidhura me transaksionet me kartë. Këto ndryshime, të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, synojnë të adresojnë problemet ekzistuese në fushën e tarifave të këmbimit valutor kundrejt Lekut për transaksionet me karta në pika shitjeje (POS) dhe ATM, transfertat e kreditit online, si dhe të lehtësojnë automatizimin e pagesave.

Ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe ata që ofrojnë shërbime të këmbimit të monedhës në ATM ose POS, tani duhet të shprehin qartë një vlerë në përqindje (mark-up) që tregon ndryshimin e kursit të aplikuar ndaj kursit të fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Ky mark-up duhet t’i komunikohet paguesit para kryerjes së transaksionit. Përveç kësaj, këta ofrues duhet t’i sigurojnë paguesit, para inicimit të pagesës, informacion mbi shumën që do të marrë përfituesi në monedhën e tij dhe shumën që do të paguajë paguesi në monedhën e llogarisë së tij. Gjithashtu, paguesit duhet të informohen për mundësinë e kryerjes së pagesës në monedhën e përdorur nga përfituesi dhe për këmbimin e monedhës nga operatori i shërbimit. Të gjithë këto informacione duhet t’i vihen në dispozicion paguesit edhe në një formë të qëndrueshme pas përfundimit të transaksionit.

Kostot e larta, veçanërisht për tërheqjet cash në ATM nga kartat e huaja, kanë qenë burim pakënaqësie për turistët dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka pasur rregulla transparencë, ekspertët theksojnë se operatorët globalë të kartave si Visa dhe Mastercard tashmë aplikojnë kërkesa për shfaqjen e qartë të komisioneve dhe kostove në ATM.

Rregullorja e re përfshin gjithashtu detyrimin e ofruesit të shërbimeve të pagesave (OSHP) për të informuar paguesin qartë dhe plotësisht për tarifat e këmbimit valutor dhe shumën totale të transfertës online, përfshirë tarifat përkatëse, para inicimit të transfertës së kreditit. Kur OSHP-ja e paguesit ofron shërbimin e këmbimit të monedhës për transferta online, duhet të njoftojë paguesin për tarifat e llogaritura për këtë shërbim. Para inicimit të transaksionit, OSHP-ja duhet t’i komunikojë paguesit, në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, shumën totale të transfertës në monedhën e llogarisë së tij, duke përfshirë të gjitha tarifat, si dhe shumën që do t’i transferohet përfituesit në monedhën e tij.

Scroll to Top