KESH: 62 milionë euro për importe energjie verore

KESH rrit importet gjatë verës, blerjet në ankande arrijnë 62 milionë euro

Vera e këtij viti, e cila nuk ka qenë e favorshme për sa i përket kushteve hidrike, duket se ka nxitur sërish nevojën për importe energjie. Kjo situatë vjen si pasojë e kontrollit më të lartë të prodhimit nga hidrocentralet, ndërkohë që konsumi ka shënuar rritje.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka shpenzuar të paktën 62 milionë euro për importe gjatë procedurave të fundit të blerjes së energjisë, kryesisht për periudhën e verës. Sasia e energjisë së blerë arrin në rreth 469,950 MWh.

Pjesa më e madhe e këtyre importeve lidhet me kontraktimin e energjisë për periudhën 1 korrik – 30 shtator. Gjatë kësaj periudhe, KESH siguroi 331,200 MWh me një çmim mesatar të ponderuar prej 125.47 euro/MWh. Vlera e kësaj blerjeje rezulton rreth 41.56 milionë euro.

Në këto shifra shtohen edhe dy procedura më të fundit të blerjes gjatë gushtit. Përmes tyre, KESH kontraktoi gjithsej 109,950 MWh, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 16.23 milionë eurosh.

Për periudhën 22-30 gusht, kompania bleu 25,605 MWh në dy lote. Njëri lot përfshiu 10,800 MWh me një çmim të ponderuar prej 139.13 euro/MWh, ndërsa tjetri 14,805 MWh me çmim të ponderuar 126.62 euro/MWh.

Procedura për periudhën 31 gusht – 30 shtator ishte më e madhe, me 84,345 MWh të kontraktuara në katër lote. Çmimet mesatare të ponderuara në këtë rast varionin nga 118.69 euro/MWh deri në 169.21 euro/MWh.

Rritja e importeve gjatë verës vjen pas një fillimviti ku KESH ishte kryesisht në rolin e shitësit, falë prodhimit të lartë hidroenergjetik. Gjatë periudhës janar-prill, kompania shiti 456,945 MWh energji, duke arkëtuar 33.15 milionë euro me TVSH, me një çmim mesatar shitjeje prej 60.51 euro/MWh.

Shkurti shënoi volumin më të lartë të shitjeve, me 223,894 MWh dhe 13.52 milionë euro të ardhura me TVSH. Në janar, të ardhurat nga shitja e energjisë arritën në 12.16 milionë euro, ndërsa marsi dhe prilli sollën rreth 3.7 milionë euro secili.

Në të njëjtën periudhë, importet ishin të kufizuara. KESH bleu në janar 28,800 MWh, me një kosto prej 4.22 milionë eurosh me TVSH. Ndërsa në shkurt, mars dhe prill nuk rezultojnë blerje të përfunduara për shërbimin publik.

Scroll to Top